Deklarata e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, ka shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, e ka cilësuar deklaratën si të turpshme, duke theksuar se ajo dëmton rëndë besimin në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Një deklaratë e turpshme nga një ministre e Serbisë, Snezhana Paunoviq. Kjo e shkatërron seriozisht besimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Terras në rrjetin social X.
Ndërkohë, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, bëri të ditur se rasti është adresuar zyrtarisht në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, deklarata e ministres serbe përbën shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023 dhe cenon seriozisht procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Deklarata përbën shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023 dhe minon seriozisht dialogun, besimin dhe procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Bajrami.
Deklarata e Snezhana Paunoviq ka nxitur reagime të shumta nga zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët e kanë cilësuar atë si gjuhë të papranueshme, në kundërshtim me frymën e dialogut, pajtimit dhe stabilitetit në rajon.
