Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Category

Rënie e thellë e investimeve kapitale në tremujorin e parë, 10 ministri pa projekte të realizuara.

Janina Gjyrevci by Janina Gjyrevci
03/06/2026
in Category
0
Rënie e thellë e investimeve kapitale në tremujorin e parë, 10 ministri pa projekte të realizuara.
0
SHARES
5
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Tre mujori i parë i këtij viti ka rezultuar me zero investime kapitale. Ky është bilanci i punës i dhjetë Ministrive të Qeverisë “Kurti” për periudhën janar-mars 2026.

Sipas raportit tre mujor të buxhetit të përgatitur nga Ministria e Financave, gjatë tre mujorit të parë të këtij viti institucionet qendrore dhe lokale kanë dështuar keq në realizimin e investimeve kapitale, duke realizuar 31 % më pak investime se në periudhën e njejtë të vitit të kaluar (2025).

“Shpenzimet kapitale arritën vlerën prej 67.66 milionë euro, që paraqet një ulje prej 30 milionë euro, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 7%, krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori, apo 31% më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”, thuhet mes tjerash në këtë raport që e posedon FrontOnline.

 

Derisa investimet kapitale sivjet kanë shënuar rënie drastike, Qeveria e Kosovës është kujdesur që të shpenzoj më shumë se plani në kategorinë e pagave dhe shtesave.

Më pak investime kapitale, më shumë shpenzime për paga dhe shtesa

Sipas raportit tre mujor të buxhetit, shpenzimet për paga dhe shtesa shënuan vlerën prej 298.33 milionë euro gjatë këtij tremujori, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 30%, krahasuar me vlerën totale vjetore të buxhetuar për këtë kategori.

“Shpenzimet për paga gjatë periudhës raportuese paraqesin një rritje prej 36% apo 78.78 milionë euro më shumë krahasuar me shpenzimet e pagave në periudhën e njëjtë të vitit 2025, përfshirë edhe shpenzimet e ligjit të ri për pagat e zyrtarëve publikë dhe ndryshimin e koeficientit sipas Ligjit për ndarjet buxhetore te vitit 2026, dhe shpenzimet për pagën e 13 sipas vendimit te Qeverisë”, thuhet mes tjerash në këtë raport.

Edhe në kategorinë buxhetore subvencione dhe transfere janë shpenzuar 55.37 milionë euro më shumë se plani, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 13% krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori, ose rritje prej 22% krahasuar me periudhën e njejtë të vitit 2025.

 

Në anën tjetër, në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve (përfshirë shpenzimet komunale) janë shpenzuar më pak para, përkatësisht 11.69 milionë euro më pak, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 14% krahasuar me vlerën totale vjetore të buxhetuar për këtë kategori, ose ulje prej 12% krahasuar me periudhën e njejtë të vitit 2025.

Kryeministri Kurti dhe këta ministra dështuan keq me investime kapitale

Zero investime kapitale për tre muaj kanë raportuar dhjetë Ministri të Qeverisë së Kosovës, përfshirë këtu edhe Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes ka shpenzuar 15% të buxhetit për investime kapitale në 3 mujor, 8  % të buxhetit e ka shpenzuar Ministria e Mjedisit, 5 % Ministria e Jashtme, 4% Ministria e Brendshme dhe nga 1 për qind Ministria e Bujqësisë dhe Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës, raporton FrontOnline.

Më poshtë mund ta lexoni listën e institucioneve qendrore që nuk e realizuan asnjë investim kapital për periudhën janar-mars 2026:

Zyra e Kryeministrit 0%

 

Ministria e Financave 0%

Ministria e Administratës Publike 0%

Ministria e Tregtisë 0%

Ministria e Drejtësisë 0%

Ministria e Shëndetësisë 0%

Ministria e Arsimit 0%

Ministria për Komunitete dhe Kthim 0%

Ministria e Pushtetit Lokal 0%

Ministria e Ekonomisë 0%

Ministria e Mbrojtjes 15%

Ministria e Mjedisit 8%

Ministria e Jashtme 5%

Ministria e Brendshme 4%

Ministria e Bujqësisë 1%

SHSKUK 1%

Ish-zëvendës ministri Gashi: Qeveria duhet të shpjegojë pse investimet kapitale ranë në vit zgjedhor

Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Fatmir Gashi, në një prononcim për FrontOnline ka vlerësuar se rënia e investimeve kapitale gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 përbën një sinjal shqetësues për ekonominë e Kosovës dhe reflekton probleme në planifikimin, menaxhimin dhe zbatimin e projekteve publike.

Duke komentuar të dhënat e raportit tremujor të buxhetit, Gashi ka theksuar se ulja prej 31 për qind e investimeve kapitale krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, krijimin e infrastrukturës, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.

‘’ ‘‘Rënia e investimeve kapitale për 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është një sinjal shqetësues për ekonominë e vendit. Investimet kapitale janë mekanizmi kryesor për krijimin e infrastrukturës, zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë’’, tha Gashi.

Sipas tij, fakti që norma e ekzekutimit të investimeve kapitale ka arritur vetëm 7 për qind të buxhetit të planifikuar për këtë kategori tregon se institucionet janë përballur me vështirësi serioze në realizimin e projekteve të parapara.

‘’ Kur norma e ekzekutimit arrin vetëm 7% të buxhetit të planifikuar në tremujorin e parë, kjo tregon qartë probleme në planifikim, menaxhim dhe zbatim të projekteve publike’’, tha Gashi.

Gashi ka shprehur shqetësim edhe për faktin se dhjetë ministri në detyrë, përfshirë Zyrën e Kryeministrit në detyrë, nuk kanë realizuar asnjë investim kapital gjatë tre muajve të parë të vitit. Ai ka vlerësuar se kjo situatë dëshmon mungesë efikasiteti institucional dhe dobësi në menaxhimin e financave publike.

‘’Fakti që dhjetë ministry ne detyre, përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit ne Detyre, nuk kanë realizuar asnjë investim kapital gjatë tre muajve të parë të vitit është tregues i mungesës së efikasitetit institucional dhe i dobësive serioze në menaxhimin e financave publike’’, deklaron ish zëvendës ministri Gashi.

Megjithëse tremujori i parë zakonisht karakterizohet me nivel më të ulët të investimeve për shkak të procedurave të prokurimit, sipas Gashit, mosrealizimi i asnjë investimi kapital nga një numër kaq i madh institucionesh nuk mund të konsiderohet normal dhe kërkon analizë të thellë institucionale.

‘’Edhe pse tremujori i parë zakonisht karakterizohet me nivel më të ulët të investimeve për shkak të procedurave të prokurimit, mosrealizimi i asnjë investimi kapital nga një numër kaq i madh institucionesh nuk mund të konsiderohet normal. Kjo situatë kërkon analizë të thellë dhe përgjegjësi institucionale’’, tha Gashi.

Ai ka kritikuar gjithashtu rritjen e shpenzimeve për paga, shtesa dhe transfere sociale në një kohë kur investimet kapitale janë në rënie, duke vlerësuar se kjo tregon një zhvendosje të strukturës së shpenzimeve publike nga zhvillimi drejt konsumit. Sipas tij, këto shpenzime lidhen me vendimet e marra në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit dhe mund të kenë ndikim edhe në mbështetjen elektorale për partinë në pushtet.

‘’Në anën tjetër, rritja e shpenzimeve për paga, shtesa dhe transfere sociale, përderisa investimet kapitale janë në rënie, tregon një zhvendosje të strukturës së shpenzimeve publike nga zhvillimi drejt konsumit qe jane product i zgjedhjeve te 07 qershorit ’’, deklaron Gashi.

Gashi ka thënë se, megjithëse pagat dhe transferet sociale janë të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve, ato nuk krijojnë kapacitete të reja prodhuese dhe nuk sigurojnë rritje të qëndrueshme ekonomike afatgjate. Sipas tij, ekonomia ka nevojë për investime që gjenerojnë zhvillim, produktivitet dhe punësim.

‘’ Pagat dhe transferet janë të rëndësishme për mirëqenien sociale, por ato nuk krijojnë kapacitete të reja prodhuese dhe as nuk sigurojnë rritje të qëndrueshme ekonomike afatgjate por ka mundesi te risin numrin e votave per partin ne pushtet’’, tha Gashi.

Në fund, ai ka kërkuar nga qeveria në detyrë të sqarojë arsyet e rënies së investimeve kapitale dhe të prezantojë masa konkrete për përshpejtimin e realizimit të projekteve gjatë pjesës së mbetur të vitit, duke theksuar se qytetarët presin rezultate konkrete në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik.

‘’Nga perspektiva politike, qeveria  ne detyre duhet të japë sqarime të qarta pse ka ndodhur kjo rënie e investimeve kapitale dhe cilat masa konkrete do të ndërmerren për të përshpejtuar realizimin e projekteve gjatë pjesës së mbetur të vitit. Qytetarët presin rezultate konkrete në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik, ndërsa buxheti i shtetit duhet të reflektojë këto prioritete përmes investimeve efektive dhe jo vetëm përmes rritjes së shpenzimeve rrjedhëse’’, pëfundon ish-zëvendës ministri  Gashi

Kandidatja e LDK-së për deputete, Albena Reshitaj, në një prononcim për FrontOnline ka vlerësuar se rënia prej 31 për qind e investimeve kapitale gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 është një tregues shqetësues i performancës së qeverisë në zbatimin e projekteve zhvillimore dhe menaxhimin e financave publike.

Sipas saj, investimet kapitale përbëjnë bazën e zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të infrastrukturës publike, ndërsa rënia e tyre nënkupton humbje të mundësive për zhvillim dhe përmirësim të shërbimeve për qytetarët.

‘’ Rënia prej 31% e investimeve kapitale është një tregues shqetësues për performancën e qeverisë në zbatimin e projekteve zhvillimore. Investimet kapitale janë motori i zhvillimit ekonomik, i krijimit të vendeve të punës dhe i përmirësimit të infrastrukturës publike. Kur këto investime bien në këtë masë, qytetarët humbin mundësi konkrete për zhvillim dhe përmirësim të shërbimeve’’, tha Reshitaj për FrontOnline.

Reshitaj ka thënë se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi qeverinë aktuale, e cila edhe në kushtet e ushtrimit të detyrës vazhdon të kontrollojë shumicën e pozitave të larta drejtuese nëpër ministri dhe institucione përmes ushtruesve të detyrës. Për këtë arsye, sipas saj, nuk mund të ketë arsyetime që lidhen me mungesën e vazhdimësisë institucionale.

‘’Qeveria aktuale, edhe në kushtet e ushtrimit të detyrës, vazhdon të ketë nën kontroll shumicën e pozitave të larta drejtuese nëpër ministri dhe institucione ku vazhdon ti mbaj me ushtrues detyre Prandaj, përgjegjësia për këtë performancë bie drejtpërdrejt mbi qeverinë dhe menaxhimin e saj’’, tha Reshitaj.

Ajo e ka cilësuar alarmues faktin që dhjetë ministri dhe Zyra e Kryeministrit nuk kanë realizuar asnjë investim kapital gjatë tre muajve të parë të vitit, duke vlerësuar se kjo dëshmon mungesë vizioni, koordinimi dhe përgjegjësie në menaxhimin e parasë publike.

‘’ Fakti që dhjetë ministri dhe vetë Zyra e Kryeministrit nuk kanë realizuar asnjë investim kapital gjatë tre muajve të parë të vitit është alarm serioz për nivelin e planifikimit dhe ekzekutimit institucional. Kjo tregon mungesë të vizionit, koordinimit dhe përgjegjësisë në menaxhimin e parasë publike’’, deklaron Reshitaj.

Sipas Reshitajt, qytetarët paguajnë taksa për të parë investime konkrete në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik, ndërsa mosrealizimi i investimeve kapitale nga ministritë tregon se institucionet kanë dështuar në funksionin e tyre zhvillimor.

‘’ Qytetarët paguajnë taksa që të shohin projekte konkrete në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik, jo vetëm administrim të përditshëm të institucioneve. Kur ministritë nuk arrijnë të realizojnë asnjë investim kapital, kjo nënkupton se ka dështuar funksioni i tyre zhvillimor’’, u shpreh kandidatja e LDK-së.

Duke komentuar të dhënat e raportit buxhetor, ajo ka shprehur shqetësim edhe për rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve për paga dhe transfere, në një kohë kur investimet kapitale po bien ndjeshëm. Sipas saj, kjo krijon një disproporcion që nuk i shërben zhvillimit afatgjatë të vendit dhe tregon se buxheti po orientohet më shumë drejt konsumit institucional sesa drejt projekteve që krijojnë vlerë të re.

‘’Pagat dhe kompensimet për punonjësit publikë janë të rëndësishme dhe askush nuk e konteston nevojën për trajtim dinjitoz të administratës. Megjithatë, kur shohim një rritje të vazhdueshme të shpenzimeve për paga dhe transfere, ndërkohë që investimet kapitale bien ndjeshëm, krijohet një disproporcion që nuk i shërben zhvillimit afatgjatë të vendit’’, tha Reshitaj.

Reshitaj vlerëson se një qeveri e përgjegjshme duhet të ruajë ekuilibrin mes shpenzimeve rrjedhëse dhe investimeve zhvillimore.

Ajo ka thënë se Kosovës i nevojitet një qasje më serioze në planifikimin dhe realizimin e investimeve publike, me fokus te rezultatet, transparenca dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm. Ajo thotë se LDK beson se  buxheti i shtetit duhet të shërbejë si instrument zhvillimi dhe jo vetëm administrimi, ndërsa qytetarët kanë nevojë të shohin projekte të realizuara, vende të reja pune dhe investime që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e tyre.

‘’Këto të dhëna tregojnë se Kosovës i duhet një qasje më serioze në planifikimin dhe realizimin e investimeve publike, me fokus te rezultatet, transparenca dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm.

Andaj LDK beson se buxheti i shtetit duhet të jetë instrument zhvillimi dhe jo vetëm administrimi. Qytetarët kanë nevojë të shohin projekte të realizuara, vende të reja pune dhe investime që përmirësojnë jetën e tyre. Shifrat e publikuara tregojnë se qeveria ka dështuar të përkthejë buxhetin në zhvillim konkret për qytetarët e Kosovës’’, përfundon Reshitaj.

Profesori i ekonomisë për rënien e investimeve kapitale : Fondet po orientohen drejt “blerjes së votës”, jo investimeve

Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, në një prononcim për FrontOnline thotë se rënia e investimeve kapitale lidhet me faktin se Kosova ndodhet në periudhë zgjedhore dhe me një qeveri në detyrë, e jo me mandat të plotë. Sipas tij, proceset zgjedhore të shpeshta kanë ndikuar që rrethanat buxhetore të ndryshojnë vazhdimisht dhe fondet publike të orientohen sipas interesave të grupeve të caktuara politike.
‘’Ka pasur rënie të investimeve kapitale sepse jemi në kohë zgjedhjesh dhe kemi një Qeveri në detyrë, nuk kemi qeveri në mandat të plotë dhe shto kësaj proces zgjedhor çdo 3-4 muaj  le të nënkuptohet  që rrethanat buxhetore variojnë prej arsye të interesit të grupit të caktuar qeveritare në interes të tyre’’, tha Misini për FrontOnline.

Misini vlerëson se investimet kapitale kanë rënë pasi një pjesë e madhe e mjeteve buxhetore është shpërndarë në atë që ai e quan “blerje vote” dhe “korrupsion naiv” nga kryeministri aktual. Ai kritikon arsyetimin e Qeverisë se shpërndarja e mjeteve financiare është bërë për shkak të inflacionit, duke argumentuar se një politikë e tillë vetëm sa e nxit inflacionin dhe nuk prodhon zhvillim ekonomik.

‘’ Investimet kapitale kanë shënuar rënie për shkak që shumica e mjeteve buxhetore të cilat i kemi janë shpërndarë në blerjen e votës një ‘’’’korrupsioni’’ naiv të kryeministrit aktual , ai në intervista të tij deklaroi që ka shumë rënësi dhënia e mjeteve financiare në këtë kohë për shkak të inflacionit unë mendoj që kjo mënyrë vetëm prodhon inflacion ‘’, thotë profesori i ekonomisë.

Sipas Misinit  shpërndarja e parasë pa investime në infrastrukturë dhe projekte kapitale ndikon drejtpërdrejt në uljen e interesimit të investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë.

Tutje, Misini konsideron se disa ministri po funksionojnë pa projeksione të qarta buxhetore, gjë që sipas tij krijon hapësirë për manovrime të dyshimta me fondet publike.
‘’Kjo mënyrë e shpërndarjes së parasë pa zhvillim të kapitalit infrastrukturor, ndikon në mos ngritjen e investimeve të huaja. Disa ministri janë edhe ad-hoc pa projeksione buxhetore, kjo pa projeksione buxhetore në Mënyrë automatike do të ketë manovrime të dukshme’’.

Related

Previous Post

Publikohen çmimet e derivateve, rritet për një cent çmimi i naftës

Next Post

Hoti: Kurti nuk përmendi asnjë projekt serioz që ka ndryshuar jetën e qytetarëve.

Next Post
Hoti: Kurti nuk përmendi asnjë projekt serioz që ka ndryshuar jetën e qytetarëve.

Hoti: Kurti nuk përmendi asnjë projekt serioz që ka ndryshuar jetën e qytetarëve.

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.