Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar pas rrënimit të fundit të një objekti në zonën e Ujmanit, për të cilin autoritetet e Kosovës thanë se nuk ka leje dhe se është ndërtuar në pronën e Ibër Lepencit.
Gjuriq tha se me këto rrënime Qeveria e Kurtit “po demonstron edhe një herë shpërfilljen e saj ndaj sundimit të ligjit dhe të drejtave të serbëve të Kosovës”.
“Vetëm në ditët e fundit kemi parë: rrënimin e pronave të serbëve në Liqenin e Gazivodës, pavarësisht proceseve gjyqësore në pritje dhe paralajmërimeve të BE-së; punime të paligjshme brenda zonës së mbrojtur të Manastirit të Deçanit, në shkelje të legjislacionit të vetë Kosovës dhe të marrëveshjes së vitit 2020; si dhe barriera të reja administrative që synojnë të pengojnë pelegrinët e Kishës Ortodokse Serbe”.
Gjuriq thotë se “këto nuk janë çështje teknike të izoluara”, duke vazhduar pretendimin për presion ndaj serbëve të Kosovës.
“Ato përfaqësojnë një model të qëllimshëm presioni ndaj të drejtave pronësore të serbëve, lirisë së fesë dhe një kompleksi të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Besoj fuqimisht se prania ndërkombëtare, BE-ja, OSBE-ja dhe KFOR-i, brenda mandatit të tyre, duhet të reagojnë me vendosmëri për t’i ndalur këto situata të krijuara dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit”.
Për punimet në Manastirin e Deçanit dje kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se ishin punime për mirëmbajtjen e rrugës dhe tha se për këtë kishte njoftuar krerët e manastirit. Ai tha se këto punime zgjatën dy ditë dhe se kanë përfunduar

