Një aksion i gjerë i institucioneve të zbatimit të ligjit ka çuar në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme ari dhe argjendi në Prizren, me vlerë që tejkalon 460 mijë euro.
Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi se, në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, janë zhvilluar veprime hetimore pas dyshimeve për aktivitet të kundërligjshëm në disa biznese që merren me shitjen e arit.
Hetimet kishin nisur që nga 19 shtatori 2025, ndërsa më 20 maj 2026 janë kryer kontrolle në gjashtë lokale afariste dhe tri shtëpi banimi në Prizren.
Gjatë operacionit janë sekuestruar:
🔸 3,775.33 gram ari i padeklaruar, me vlerë të përafërt prej 455 mijë euro
🔸 4,204.98 gram argjend i padeklaruar, me vlerë rreth 8,900 euro
Në total, vlera e pasurisë së sekuestruar kap shifrën mbi 463 mijë euro.
Autoritetet kanë iniciuar rast ndaj katër personave, të dyshuar për veprat penale:
- Shmangie nga tatimi
- Shmangie nga pagesa e tarifave doganore ose akcizore
Aksioni zbuloi edhe element tjetër penal: në dy lokacione të ndryshme u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri (pistoleta) pa leje, duke çuar në hapjen e një rasti shtesë për armëmbajtje pa autorizim.
Prokuroria bëri të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe paralajmëroi se do të vazhdojë goditjen ndaj evazionit fiskal, shmangies doganore dhe kriminalitetit ekonomik.

