Departamenti Amerikan i Shtetit ka sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e politikës së jashtme të SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, duke deklaruar se epoka e ndërtimit të shteteve përmes ndërhyrjeve të jashtme ka përfunduar.
Në dëshminë e tij të shkruar para Nënkomitetit për Evropën në Kongresin amerikan, zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit, Daniel Lawton, deklaroi se Uashingtoni nuk do të ofrojë më “mjete të pakufizuara për qëllime të papërcaktuara”.
Lawton u bëri thirrje liderëve të Ballkanit që të lënë pas mosmarrëveshjet e vjetra dhe të gjejnë vetë zgjidhje pragmatike për problemet e rajonit.
Sipas dokumentit, politika e re amerikane në Ballkan do të mbështetet në tri shtylla kryesore: ruajtjen e stabilitetit, zgjerimin e interesave ekonomike amerikane dhe luftimin e krimit të organizuar transnacional që paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e SHBA-së.
Mesazhet e SHBA-së për rajonin
Kosovë: Kritika për vonesat institucionale dhe thirrje për mbrojtjen e serbëve
Uashingtoni ka rikonfirmuar mbështetjen për pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, por ka shprehur shqetësim për ngadalësimin e proceseve të brendshme institucionale.
Lawton vuri në dukje se agjenda e përbashkët është penguar nga zgjedhjet e përsëritura, qeveritë e zgjatura në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve.
Në deklaratë ngrihen gjithashtu shqetësime për “shqyrtim të tepruar ligjor dhe policor ndaj popullatës serbe në Kosovë”, duke kërkuar që të gjithë qytetarët të gëzojnë të drejta të barabarta, me qëllim ruajtjen e stabilitetit.
Ndërkohë, prania e KFOR-it vlerësohet si jetike dhe, sipas deklaratës, do të vazhdojë të mbështetet nga trupat amerikane.
Shqipëri: Partneritet ushtarak dhe luftë kundër krimit të organizuar
Shqipëria cilësohet si një aleat i ngushtë i NATO-s, me të cilin SHBA-ja po bashkëpunon për çmontimin e organizatave kriminale që lidhen me kartelet e Hemisferës Perëndimore.
Përmes një kredie të sapofinalizuar për Financimin e Ushtrisë së Jashtme (FMF), SHBA-ja pritet të ndihmojë Shqipërinë në modernizimin e ushtrisë dhe në rritjen e blerjeve të pajisjeve të prodhuara në Shtetet e Bashkuara.
Serbi: SHBA-ja synon forcimin e partneritetit
Dokumenti evidenton gjithashtu një afrim të SHBA-së me Beogradin zyrtar, me synim kufizimin e ndikimeve të fuqive të tjera, veçanërisht Rusisë dhe Kinës.
Pas Dialogut Strategjik SHBA-Serbi të zhvilluar në korrik, Uashingtoni po e sheh Serbinë si një vend kyç për ekuilibrin rajonal dhe synon të rrisë bashkëpunimin në fushat e energjisë, mbrojtjes dhe tregtisë.
Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur
Sa i përket marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, SHBA-ja vlerëson se përparimi më i madh është arritur përmes Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, të ndërmjetësuar nga presidenti Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë.
Megjithatë, dialogu aktual i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, sipas vlerësimit amerikan, ka ngecur për shkak të “mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët”.
SHBA-ja kërkon rifillimin e bisedimeve direkte, pa parakushte, si dhe shmangien e veprimeve që mund të rrisin tensionet.
Bosnjë, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, diplomacia amerikane vlerëson se ka ndihmuar në shmangien e një krize të rëndë, duke siguruar tërheqjen e legjislacionit anti-Dayton nga Republika Srpska.
Ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi vlerësohen për projektet e tyre të ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike, përfshirë projektet që lidhen me gazin LNG, të cilat, sipas dokumentit, krijojnë mundësi të reja për investimet e kompanive amerikane.
Në tërësi, dëshmia e Departamentit Amerikan të Shtetit sinjalizon një qasje ku Uashingtoni synon të ruajë stabilitetin dhe interesat e tij strategjike në Ballkan, ndërsa u kërkon aktorëve vendas të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve politike dhe institucionale të rajonit.

