Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur tarifa të reja doganore ndaj 60 partnerëve tregtarë, duke i akuzuar se nuk kanë ndërmarrë masa të mjaftueshme për të parandaluar importin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar.
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, tarifat, të cilat variojnë nga 10% deri në 12.5%, kanë hyrë në fuqi më 24 korrik dhe prekin partnerë të rëndësishëm tregtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, Kinën, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Japoninë dhe Indinë.
Administrata amerikane bëri të ditur se vendet që, sipas vlerësimit të Uashingtonit, kanë zbatuar masa efektive kundër produkteve të prodhuara me punë të detyruar do t’i nënshtrohen tarifës 10%, ndërsa vendet e tjera tarifës 12.5%.
Masat janë ndërmarrë në bazë të Seksionit 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974 dhe konsiderohen si hapi më i fundit në politikën tregtare të administratës Trump.
Bashkimi Evropian: Vendimi është i pabazuar
Bashkimi Evropian reagoi menjëherë ndaj vendimit amerikan, duke kërkuar sqarime nga Uashingtoni.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, e cilësoi arsyetimin e SHBA-së si të pabazuar.
“Kjo nuk mund të thuhet për Bashkimin Evropian. Nëse krahasohen ligjet tona të punës me ato të Shteteve të Bashkuara, ne kemi leje të paguara dhe standarde shumë të mira pune. Ky justifikim është plotësisht i pabazuar”, deklaroi Kallas.
Ajo shtoi se Brukseli ka përmbushur detyrimet sipas marrëveshjes tregtare transatlantike të arritur vitin e kaluar dhe e cilësoi vendimin amerikan si një “surprizë negative”.
Reagime edhe nga Brazili dhe Australia
Vendimi i Uashingtonit është kundërshtuar edhe nga Brazili, i cili e quajti atë “krejtësisht arbitrar dhe të pajustifikuar”, duke akuzuar administratën amerikane për përdorimin e çështjeve të të drejtave të njeriut për të justifikuar politika proteksioniste.
Edhe Australia reagoi kundër tarifave të reja. Ministri australian i Tregtisë, Don Farrell, deklaroi se masat janë në kundërshtim me marrëveshjen e tregtisë së lirë mes dy vendeve.
“Këto tarifa janë të pajustifikuara, bien ndesh me marrëveshjen tonë të tregtisë së lirë dhe duhet të hiqen”, tha Farrell.

