Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë njoftoi se më 26 gusht 2026 ka përfunduar operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, gra dhe fëmijë.
Sipas ministrisë, operacioni është rezultat i një pune të gjatë dhe të koordinuar ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira në këtë proces.
Ministria theksoi se riatdhesimi i shtetasve nga zona të prekura nga konflikti përbën pjesë të përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të tij, edhe në rrethana të vështira.
Do të ofrohet asistencë dhe mbështetje për riintegrim
Pas mbërritjes në Shqipëri, pesë shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme, ndërsa do t’u nënshtrohen edhe vlerësimeve shëndetësore dhe psikosociale.
Institucionet përgjegjëse do të vijojnë punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme falënderoi institucionet dhe strukturat shqiptare të përfshira në operacion, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, për mundësimin e procedurave dhe tranzitit të sigurt.
Task-Forca vijon punën për shtetasit e tjerë
Sipas njoftimit, Task-Forca ndërinstitucionale do të vazhdojë të ndjekë procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të kthyer, ndërsa do të punojë edhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë nga Siria, sa herë që krijohen kushtet për kthimin e tyre të sigurt.
Ministria e cilësoi operacionin si dëshmi të rëndësisë së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të veprimit të koordinuar të institucioneve shtetërore për mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë.

