Qeveria Kosovës ka shpenzuar 792 milionë euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e buxhetit ka shkuar për paga dhe mëditje të punëtorëve, përfitime sociale dhe subvencione.
Të hyrat e shtetit kanë arritur në 841 milionë euro në tre mujorin e parë të këtij viti, por paralelisht janë rritur edhe shpenzimet qeveritare, të cilat vetëm për paga u shtuan për afro 80 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.
Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës kanë vazhduar të rriten gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke arritur në 792 milionë euro.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur shpenzimet ishin 703.2 milionë euro, shteti ka shpenzuar afro 89 milionë euro më shumë.
Rritja më e madhe vërehet te kompensimi i punëtorëve, ku hyjnë pagat dhe mëditjet në sektorin publik. Për këtë kategori janë shpenzuar 298.2 milionë euro, apo 38 për qind e totalit të shpenzimeve. Në TM1 të vitit 2025 kjo kategori kishte qenë 219.7 milionë euro, që nënkupton një rritje prej rreth 78.5 milionë eurosh brenda një viti.

Po ashtu, janë rritur edhe shpenzimet për kontribute sociale dhe përfitime, të cilat kanë arritur në 248.4 milionë euro, nga 201.9 milionë euro sa ishin në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo kategori përfshin pensionet, skemat sociale dhe pagesat tjera sociale, dhe përbën 31 për qind të totalit të shpenzimeve.
Për subvencione, qeveria ka shpenzuar 55.6 milionë euro, ndërsa për konsum të ndërmjetëm mbi 93 milionë euro. Në anën tjetër, për formimin e kapitalit bruto janë ndarë vetëm 20 milionë euro, dukshëm më pak se në TM1 të vitit 2025 kur kjo kategori kishte arritur në 62.7 milionë euro.
Sipas ndarjes sektoriale, pjesa më e madhe e parasë publike ka shkuar për mbrojtjen sociale, ku janë shpenzuar 251.9 milionë euro apo 32 për qind e totalit të buxhetit. Arsimi ka marrë 118.8 milionë euro, ndërsa për çështje ekonomike janë ndarë 104.2 milionë euro.

Rritje kanë shënuar edhe shpenzimet për rend dhe siguri publike, të cilat kanë arritur në 82.3 milionë euro, si dhe ato për shëndetësi me 81.4 milionë euro.
Paralelisht me rritjen e shpenzimeve, janë rritur edhe të hyrat e shtetit. Sipas të dhënave, të hyrat e Qeverisë në tremujorin e parë të vitit 2026 kanë arritur në 841.8 milionë euro
Mirëpo, pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat kanë sjellë 575.2 milionë euro apo 68 për qind të totalit të të hyrave. Vetëm nga TVSH-ja janë mbledhur 377.4 milionë euro, ndërsa nga tatimet dhe doganat në importe mbi 179 milionë euro.
Tatimet rrjedhëse në të ardhura dhe pasuri kanë sjellë 145.8 milionë euro, ndërsa të hyrat nga prona kanë arritur në 21.7 milionë euro.


