Sipas Policisë Rrugore, kufizimet në qarkullim kanë hyrë në fuqi nga ora 07:00 dhe do të zgjasin deri në 00:00, ndërsa autostrada Tiranë–Durrës do të mbetet e hapur për qarkullim normal.
Hyrja në koncert nis në orën 18:00
Organizatorët kanë bërë të ditur se hyrja e publikut në stadium do të fillojë në orën 18:00, ndërsa koncerti është planifikuar të nisë në orën 20:00.
Autoritetet presin pjesëmarrjen e mbi 60 mijë spektatorëve, ndaj është hartuar një plan i posaçëm sigurie për menaxhimin e hyrjes dhe daljes së fansave.
Nuk ka parkim pranë stadiumit
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të përdorin transportin publik ose taksitë, pasi nuk do të ketë hapësira parkimi pranë stadiumit.
Ata që mbërrijnë me automjete private mund të zbresin pranë zonës së koncertit, por automjetet duhet të largohen menjëherë.
Autostrada mbetet e hapur
Shefi i Seksionit Interurban në Policinë Rrugore, Lulzim Marini, sqaroi se nuk do të bllokohet autostrada Tiranë–Durrës.
Sipas tij, kufizimet prekin vetëm disa dalje dhe rrugë dytësore pranë zonës së koncertit, ndërsa qarkullimi drejt Durrësit dhe anasjelltas do të vijojë normalisht.
Rrugët e bllokuara
Sipas planit të Policisë:
- 07:00 – 24:00
- Bllokohet aksi dytësor i autostradës Durrës–Tiranë, nga kompleksi “Eiffel” deri te “Casa Italia”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet.
- Bllokohet korsia e daljes së autostradës në rrethrrotullimin e Casa Italia.
- 12:00 – 24:00
- Ndalohet qarkullimi në segmentin Casa Italia – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”.
- Segmenti “Sokrat Miho” – “Kasem Shima” – “7 Nëntori” do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
Transporti publik
Për të shmangur trafikun, qytetarëve u rekomandohet përdorimi i linjës së dedikuar të autobusëve ose linjave ekzistuese të transportit urban:
- Linja 4 – City Park – Qendër
- Linja 13 – Tirana e Re
- Linja 3 – Kashar
- Linja 58 – Institut – Qendër
Policia paralajmëron se gjatë gjithë ditës mund të ketë ngarkesë të shtuar dhe kolona automjetesh, veçanërisht në hyrje të Tiranës, në zonën nga Ura e Institutit deri te mbikalimi i Casa Italia, ndaj drejtuesve të automjeteve u rekomandohet të përdorin rrugë alternative dhe të ndjekin udhëzimet e efektivëve të Policisë Rrugore.

