Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se janë caktuar paraprakisht datat 17, 18 dhe 19 gusht 2026 për mbajtjen e seancave gjyqësore në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, që lidhet me akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se datat janë vendosur si orientuese dhe mund të pësojnë ndryshime.
“Sikurse është pasqyruar në kalendarin e Gjykatës, në çështjen gjyqësore ‘Thaçi dhe të tjerët’ lidhur me akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë caktuar të mbahen seanca në datat 17–19 gusht 2026. Këto data janë caktuar si indikacion paraprak. Përditësime të mëtejshme do të bëhen kur të ketë më shumë informacion”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Ky proces gjyqësor përfshin ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, të cilët përballen me akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Pas konfirmimit të aktakuzës, të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm ndaj të gjitha akuzave.
