Të martën, më 17 nëntor 2026, në orën 10:00, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë në çështjen gjyqësore që lidhet me administrimin e drejtësisë.
Në këtë proces, përveç Thaçit, të akuzuar janë edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, të akuzuarit dyshohen për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte.
Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se gjatë periudhës 12 prill – 2 nëntor 2023, Thaçi u kishte dhënë të bashkakuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë, si dhe udhëzime që synonin ndikimin në dëshmitë e tyre.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, ish-presidenti kishte bashkërenduar tri grupe të veçanta me qëllim ndërhyrjen në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin për krime lufte.
Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër të tjera për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkohë, ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut janë ngritur nga dy akuza për secilin, ndërsa Hajredin Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Në fjalën përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar që Hashim Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim, duke kërkuar gjithashtu që koha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në dënimin eventual.
Ky proces është i ndarë nga çështja gjyqësore për krime lufte ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aktgjykimi i paralajmëruar për të martën pritet të përcaktojë përgjegjësinë penale të secilit prej pesë të akuzuarve për veprat që u ngarkohen në këtë çështje.

