Partneriteti mes Apple dhe OpenAI, i prezantuar si një nga bashkëpunimet më të rëndësishme në fushën e inteligjencës artificiale, duket se po hyn në një fazë tensioni, ndërsa OpenAI raportohet se po shqyrton mundësi ligjore ndaj gjigantit amerikan të teknologjisë.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, OpenAI beson se nuk ka përfituar aq sa ishte parashikuar nga marrëveshja me Apple, e cila solli integrimin e ChatGPT në ekosistemin Apple Intelligence dhe mundësoi përdorimin e tij përmes Siri-t dhe pajisjeve iPhone.
Burime pranë kompanisë bëjnë të ditur se drejtuesit e OpenAI kanë diskutuar opsione ligjore, përfshirë edhe njoftimin formal të Apple për shkelje të mundshme kontraktuale, pa kaluar menjëherë në padi.
Pakënaqësia e OpenAI lidhet kryesisht me mungesën e integrimit më të thellë të ChatGPT në produktet Apple, si dhe me negociatat e ngecura për rishikimin e marrëveshjes.
Nga ana tjetër, Apple duket se po ndryshon strategji. Kompania raportohet se po teston bashkëpunime edhe me rivalë të OpenAI-së, përfshirë Google Gemini dhe Claude të Anthropic, duke synuar që Apple Intelligence të mbështesë më shumë se një model të inteligjencës artificiale.
Ky zhvillim mund ta reduktojë ndjeshëm rolin qendror të ChatGPT në pajisjet Apple dhe ta kthejë platformën në një “treg” të hapur për ofrues të ndryshëm të IA-së.
Një tjetër pikë tensioni raportohet të jetë shqetësimi i Apple për privatësinë e përdoruesve dhe planet e OpenAI për zhvillimin e harduerëve të inteligjencës artificiale në partneritet me ish-dizajnerin legjendar të Apple, Jony Ive — një lëvizje që mund të shihet si konkurrencë direkte.
Apple pritet të zbulojë strategjinë e re për inteligjencën artificiale gjatë konferencës së saj vjetore për zhvilluesit në qershor, ku mund të bëhen publike ndryshime të mëdha për Siri-n dhe Apple Intelligence.
Megjithatë, pavarësisht tensioneve, një shkëputje e plotë mes Apple dhe OpenAI mbetet pak e mundshme, për shkak të rëndësisë strategjike që ka ekosistemi i Apple për zgjerimin global të ChatGPT.

