Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë në rastin për pengim të drejtësisë. Në total janë shqiptuar 41 muaj burgim efektiv dhe një muaj burgim me kusht.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim, ndërsa ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe Fadil Fazliu, janë dënuar për vepra penale që lidhen me pengimin e drejtësisë.
Vendimi u shpall të martën nga gjyqtari Christopher Gosnell në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Thaçi u shpall fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes veprimit të përbashkët, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj Gjykatës. Ai u shpall i pafajshëm për dy pika të tjera të aktakuzës.
Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim. Gjykata vlerësoi se dënimet e tyre konsiderohen të kryera për shkak të kohës së kaluar në paraburgim dhe të dy u liruan.
Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht. Ky dënim konsiderohet i kryer pas një viti, nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.
Ndërkaq, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, u shpall i pafajshëm për akuzën e mosbindjes ndaj Gjykatës.
Thaçi: Kjo është politikë, nuk është drejtësi
Pas shpalljes së dënimit, Hashim Thaçi ka reaguar në sallën e gjyqit, duke shprehur pakënaqësinë me vendimin.
“Kjo është politikë, nuk është drejtësi”, ka thënë Thaçi, në momentin kur është ulur pas shqiptimit të dënimit prej 17 muajsh burgim.
Gjykatësi: Thaçi ishte drejtues dhe organizator i grupit
Gjatë arsyetimit të aktgjykimit, gjyqtari Christopher Gosnell deklaroi se Thaçi ishte i vetëdijshëm se veprimet e tij mund të pengonin punën e zyrtarëve të Prokurorisë.
Sipas gjyqtarit, Thaçi dhe Fadil Fazliu kishin tentuar të pengonin kryerjen e detyrave zyrtare, ndërsa Thaçi kishte pasur rolin e drejtuesit dhe organizatorit të grupit.
Gosnell tha se tentativa për pengim kishte në shënjestër gjyqtarët dhe prokurorët e përfshirë në çështjen gjyqësore në të cilën Thaçi ishte i pandehur.
Sa i përket vizitave të Bashkim Smakajt te Thaçi në shtator dhe tetor të vitit 2023, gjyqtari tha se qëllimi kishte qenë ndikimi në dëshminë e Bislim Zyrapit. Sipas tij, gjatë bastisjeve në pronat e Smakajt ishte gjetur edhe një dokument me udhëzime për Zyrapin.
Gosnell konstatoi se ishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Thaçi dhe Smakaj kishin tentuar të pengonin personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.
Megjithatë, gjyqtari tha se nuk ishte bindur se Smakaj kishte ndihmuar në nxjerrjen e informacioneve konfidenciale për pesë dëshmitarë të tjerë të Prokurorisë.
Tri grupe dhe prova të administruara në gjykim
Në fillim të shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari Gosnell tha se Thaçi pretendohej se kishte organizuar tri grupe me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Isni Kilajn gjatë vizitave të tyre në Hagë në vitin 2023.
Sipas përmbledhjes së aktgjykimit, secili prej grupeve dyshohej se do të përcillte udhëzime te një dëshmitar, ndërsa Thaçi akuzohej edhe për zbulimin e informacioneve konfidenciale gjatë vizitave në objektin e paraburgimit.
Gjatë procesit gjyqësor u dëgjuan ose u pranuan dëshmitë e nëntë dëshmitarëve: tre të Prokurorisë dhe gjashtë të mbrojtjes.
Në mesin e provave të administruara ishin audio-incizime, të dhëna të telekomunikimit, mesazhe dhe të dhëna nga kompjuterët e printerët në objektin e paraburgimit.
Në total, gjykata pranoi 241 prova materiale të Prokurorisë dhe 163 prova materiale të mbrojtjes. Sipas gjyqtarit, audio-incizimet e pesë vizitave mes Thaçit dhe të bashkëakuzuarve të tij në objektin e paraburgimit përbënin prova kryesore të rastit. Këto incizime ishin autorizuar nga Gjykata.
Mbrojtja kishte kundërshtuar fuqimisht besueshmërinë e transkriptimeve dhe përkthimeve të audio-incizimeve.

