Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka komentuar vizitën e saj të fundit në Kosovë dhe protestat e organizuara nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në një deklaratë për Kosovo Online, media serbe e njohur për qëndrimin e saj kritik ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Trendafilova theksoi se këto protesta janë një ndër arsyet kryesore pse gjykimet po zhvillohen në Hagë dhe jo në Kosovë.
“Protestat e veteranëve të luftës treguan vështirësinë e garantimit të një procesi të sigurt dhe të qëndrueshëm gjyqësor, si dhe zhvillimin e qetë të procedurave nëse këto do të mbaheshin në Kosovë”, u shpreh Trendafilova.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë që Gjykata Speciale i jep mbrojtjes së dëshmitarëve dhe viktimave, duke e cilësuar këtë si një ndër prioritetet kyçe të saj.
Deklarata e Trendafilovës vjen në një kohë kur Gjykata Speciale në Hagë po zhvillon proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, për krime të supozuara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Protestat e organizuara nga OVL-UÇK janë shfaqje e pakënaqësisë ndaj këtij institucioni, të cilin ata e konsiderojnë të njëanshëm dhe politikisht të motivuar.