Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rikthyer pretendimet për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke akuzuar Kinën për atë që e quajti “vjedhja më e madhe e të dhënave zgjedhore në histori” dhe duke deklaruar se sistemi amerikan i votimit është i komprometuar.
Në një fjalim drejtuar kombit, Trump tha se Kina kishte siguruar në mënyrë të paligjshme të dhënat e rreth 220 milionë votuesve amerikanë, përfshirë emra, numra telefoni dhe përkatësi partiake. Ai i përdori këto pretendime për të kërkuar miratimin e projektligjit Save America Act, i cili parashikon detyrimin për paraqitjen e dokumentit të identitetit gjatë votimit, provën e shtetësisë amerikane për regjistrimin në listat zgjedhore dhe kufizime për votimin me postë.
Megjithatë, sipas dokumenteve të publikuara nga Shtëpia e Bardhë, të cilave iu referua vetë presidenti, nuk paraqiten prova që mbështesin pretendimin se zgjedhjet amerikane të vitit 2020 janë manipuluar ose se Kina ka ndikuar në rezultatet e tyre.
Trump pretendoi gjithashtu se dokumentet e inteligjencës tregojnë se Pekini kishte ndërmarrë fushata ndikimi kundër tij gjatë zgjedhjeve të vitit 2020, por raportet zyrtare e cilësojnë këtë vlerësim si me besueshmëri të ulët ose mesatare dhe nuk arrijnë në përfundimin se Kina ka ndërhyrë në procesin zgjedhor amerikan.
Presidenti amerikan kërkoi gjithashtu hetime ndaj personave që, sipas tij, i përkasin të ashtuquajturit “shtet i thellë”, duke pretenduar se nuk ishte informuar gjatë mandatit të tij të parë për këto rreziqe.
Sulme ndaj mediave
Trump kritikoi edhe disa prej televizioneve më të mëdha amerikane, pasi ato nuk transmetuan të plotë fjalimin e tij.
Ai akuzoi ABC, NBC dhe CNN se po fshehin të vërtetën dhe paralajmëroi se do të kërkojë heqjen e licencave të tyre.
“Ata e dinë sa i korruptuar është sistemi dhe janë pjesë e komplotit. Duan të mbrojnë të majtën”, deklaroi Trump.
Nga ana tjetër, Fox News transmetoi të plotë fjalimin e presidentit, por moderatorët e rrjetit nuk konfirmuan pretendimet e tij për manipulim zgjedhor.
Demokratët: Trump po delegjitimon zgjedhjet
Demokratët reaguan duke akuzuar Trumpin se po rikthen në qendër pretendimet e paprovuara për mashtrim zgjedhor për të delegjitimuar zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit, ku Partia Republikane përballet me sfida të rëndësishme.
Trump njoftoi gjithashtu se administrata e tij do të ndihmojë shtetet amerikane të forcojnë sigurinë e sistemeve të votimit përpara zgjedhjeve të ardhshme, edhe pse mediat amerikane kanë vënë në dukje se ai ka shfuqizuar së fundmi disa mekanizma federalë të mbikëqyrjes së sigurisë kibernetike dhe administrimit të zgjedhjeve.

