Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërcënuar me tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania, në një përshkallëzim të ri të tensioneve me kancelarin Friedrich Merz.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump bëri të ditur se administrata e tij po “rishikon reduktimin e mundshëm të trupave”, duke paralajmëruar se një vendim mund të merret në një afat të shkurtër.
Aktualisht, mbi 36 mijë trupa amerikane janë të vendosura në Gjermani, ndërsa më shumë se gjysma e forcave amerikane në Evropë janë të përqendruara pikërisht në këtë vend, sipas të dhënave zyrtare.
Përplasja vjen pasi Merz kritikoi ashpër mënyrën se si SHBA po menaxhon luftën me Iranin, duke deklaruar se Uashingtoni po “poshtërohet” në negociatat me Teheranin dhe se mungon një strategji e qartë daljeje nga konflikti.
Trump reagoi menjëherë ndaj këtyre deklaratave, duke rritur tonet ndaj aleatit të NATO-s dhe duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e Gjermanisë në raport me krizën ndërkombëtare.
Ndërkohë, përpjekjet për një armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të bllokuara, ndërsa tensionet në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë të ndikojnë në tregjet globale, duke rritur çmimet e naftës.
Situata ka tensionuar më tej marrëdhëniet brenda NATO, pasi Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë për mungesë mbështetjeje dhe ka përmendur edhe mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga aleanca.
Nga ana tjetër, Gjermania ka nisur të shqyrtojë opsione për strategji të reja të mbrojtjes, përfshirë skenarë jashtë ombrellës së NATO-s – një zhvillim që mund të shënojë një kthesë historike në sigurinë evropiane.
