Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar Komandën Qendrore Amerikane (CENTCOM) të ndërmarrë sulme ushtarake ndaj objektivave iraniane, pas sulmit në Jordani ku mbetën të vrarë dy ushtarë amerikanë.
Sipas zyrtarëve amerikanë, sulmi u krye me raketa balistike dhe dronë, ndërsa një ushtar tjetër rezulton ende i zhdukur. Katër ushtarë të tjerë u plagosën dhe u trajtuan në spitalet jordaneze, përpara se të riktheheshin në detyrë.
Pas ngjarjes, administrata amerikane autorizoi një seri operacionesh ajrore kundër objektivave ushtarake iraniane. Sipas autoriteteve, qëllimi i këtyre sulmeve është dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit dhe parandalimi i sulmeve të tjera ndaj forcave amerikane në rajon.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se Trump ka përdorur një retorikë të ashpër ndaj Teheranit, ndërsa burime zyrtare konfirmojnë se SHBA-ja ka intensifikuar operacionet ushtarake pas vrasjes së ushtarëve amerikanë.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim global për qytetarët amerikanë, duke u kërkuar atyre të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në Lindjen e Mesme, për shkak të rrezikut të një përshkallëzimi të konfliktit.
Në njoftimin zyrtar thuhet se situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme dhe se objektet diplomatike amerikane, si dhe interesat e SHBA-së jashtë vendit, mund të jenë objektiv i sulmeve të grupeve të mbështetura nga Irani.
Përshkallëzimi i fundit i tensioneve vjen në një periudhë të ndjeshme për Lindjen e Mesme dhe ka rritur shqetësimet për një konflikt më të gjerë rajonal.

