Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar një marrëveshje me vlerë 8 miliardë paund (rreth 9 miliardë euro) për blerjen e 20 avionëve luftarakë Eurofighter Typhoon, gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit britanik Keir Starmer në Ankara.
Kjo është porosia e parë e re e avionëve Typhoon nga Mbretëria e Bashkuar që prej vitit 2017 dhe shënon një hap të madh në forcimin e kapaciteteve ajrore të Turqisë.
Marrëveshja u nënshkrua në prani të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik midis dy vendeve.
“Vendet tona mund të jenë në dy skaje të Evropës, por jemi partnerë të fortë — duke punuar më ngushtë se kurrë më parë,” deklaroi Starmer gjatë ceremonisë së nënshkrimit.
Sipas tij, marrëveshja “do të forcojë sigurinë në të gjithë NATO-n, do të thellojë bashkëpunimin dypalësh në mbrojtje dhe do të nxisë rritjen ekonomike si në Turqi, ashtu edhe në Britani, duke siguruar 20 mijë vende pune britanike.”
Starmer shtoi se avionët Typhoon britanikë do të jenë “një pjesë jetike e Forcave Ajrore Turke për shumë vite që do të vijnë”, duke lënë të hapur mundësinë për shitje të mëtejshme në të ardhmen.
Avionët Eurofighter Typhoon prodhohen nga një konsorcium evropian që përfshin Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën, nën drejtimin e kompanisë britanike BAE Systems.
Kjo marrëveshje pason një pakt paraprak të arritur në korrik, pas vendimit të Gjermanisë për të hequr dorë nga kundërshtimi i saj i gjatë ndaj shitjes së avionëve në Turqi.
Sipas raportimeve, Ankaraja planifikon gjithashtu të blejë 12 avionë të përdorur nga Katari dhe 12 të tjerë nga Omani, siç njoftoi televizioni turk A Haber, duke cituar ministrin e Mbrojtjes Yaşar Güler.
Turqia e sheh këtë marrëveshje si zgjidhje të përkohshme deri në operacionalizimin e avionit të saj luftarak të gjeneratës së pestë KAAN, i cili po zhvillohet brenda vendit dhe pritet të jetë gati jo më herët se viti 2028.
Njëkohësisht, Ankaraja synon të rikthehet në programin e avionëve F-35 të udhëhequr nga SHBA-të, nga i cili u përjashtua në vitin 2019 për shkak të blerjes së sistemit rus S-400.

