Senati i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka miratuar deklaratën “Në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, në lidhje me aktgjykimin e shpallur më 16 shtator 2026 nga Trupi Gjykues II i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në deklaratën e miratuar më 18 shtator 2026, Senati shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e tij për ish-krerët e UÇK-së në vazhdimësinë e procesit juridik deri në përfundimin e të gjitha procedurave gjyqësore.
Senati vlerëson se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë çlirimtare, e zhvilluar në një periudhë vendimtare të historisë së Kosovës dhe e lidhur me përpjekjen e vazhdueshme dhe legjitime të popullit të Kosovës për liri.
“Ajо përbën një nga etapat përcaktuese të rrugëtimit historik që çoi në çlirimin e vendit, shpalljen e pavarësisë, ndërtimin e shtetësisë dhe afirmimin e identitetit shtetëror të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Universiteti “Haxhi Zeka” thekson se çdo proces gjyqësor duhet të bazohet në fakte dhe prova.
“Asnjë proces gjyqësor nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë për të rishkruar historinë, për të barazuar agresorin me viktimën apo për të cenuar kujtesën kolektive për sakrificën e popullit të Kosovës dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut për lirinë e vendit”, thuhet më tej.
Në deklaratë, universiteti thekson se si institucion publik i arsimit të lartë beson në drejtësi, sundim të ligjit dhe në të drejtën për një proces të mirëfilltë, duke shprehur bindjen se drejtësia përfundimtare duhet të mbështetet në fakte, prova dhe standardet më të larta të një gjykimi të drejtë.
Senati ka bërë gjithashtu të ditur se flamuri i UÇK-së do të valojë në hapësirat e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, si simbol i kujtesës historike, respektit për sakrificën, mirënjohjes për kontributin në çlirimin e vendit dhe rrugëtimin drejt pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.
“Universiteti do të vazhdojë ta kultivojë kujtesën historike përmes dijes, studimit dhe debatit akademik, duke ua përcjellë brezave të rinj vlerën e lirisë dhe përgjegjësinë për ruajtjen e saj”, thuhet në përfundim të deklaratës.


