Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur sot në Kiev, në vizitën e saj të dhjetë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Përmes një postimi në platformën X, ajo bëri të ditur se qëllimi i vizitës është rikonfirmimi i mbështetjes së palëkundur të Evropës ndaj Ukrainës – në planin ekonomik, ushtarak dhe humanitar – veçanërisht në kushtet e dimrit të ashpër dhe në përvjetorin e katërt të luftës.
“Evropa qëndron në krah të Ukrainës. Do të vazhdojmë ta mbështesim luftën e saj të drejtë dhe të dërgojmë një mesazh të qartë si për popullin ukrainas, ashtu edhe për agresorin: nuk do të tërhiqemi derisa të rikthehet paqja”, deklaroi ajo.
Në fund të mesazhit, von der Leyen theksoi: “Paqe me kushtet e Ukrainës”.
Gjatë vizitës në kryeqytetin ukrainas, presidentja e Komisionit do të marrë pjesë në një ceremoni zyrtare së bashku me presidentin e Këshilli Evropian, António Costa, si dhe liderë të tjerë evropianë.
Sipas pamjeve të publikuara nga vetë von der Leyen në rrjetet sociale, ajo mbërriti në Kiev me tren, ku u prit nga zyrtarë ukrainas me një buqetë lulesh në ngjyrat kombëtare të Ukrainës.
Vizita vjen në një moment simbolik dhe politikisht të ndjeshëm, duke riafirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

