Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka arrestuar një ushtar aktiv të ushtrisë amerikane, i akuzuar për përdorimin e informacionit të klasifikuar për përfitime personale në tregun e basteve.
Sipas prokurorëve, 38-vjeçari Gannon Ken Van Dyke dyshohet se ka përdorur informacione sekrete lidhur me një operacion ushtarak për kapjen e ish-presidentit të Venezuelë, Nicolás Maduro, për të vendosur baste në platformën Polymarket.
Hetimet zbulojnë se ai kishte rol në planifikimin dhe ekzekutimin e operacionit të janarit, ndërsa paralelisht kishte hapur një llogari në platformë ku vendosi 13 baste të ndryshme, duke investuar mbi 33 mijë dollarë dhe duke fituar rreth 400 mijë dollarë.
Rasti ngriti alarmin për përdorimin e informacionit të brendshëm në tregjet e parashikimeve, një fushë që po rritet shpejt por mbetet e paqartë në aspektin ligjor. Autoritetet amerikane theksojnë se veprime të tilla rrezikojnë seriozisht sigurinë kombëtare.
Drejtori i FBI, Kash Patel, deklaroi se askush nuk është mbi ligjin dhe paralajmëroi se çdo person që abuzon me informacione të klasifikuara do të përballet me pasoja të rënda.
Van Dyke përballet me disa akuza të rënda, përfshirë mashtrim dhe transaksione të paligjshme, që mund të çojnë deri në 60 vite burg.
Në të njëjtën kohë, CFTC ka nisur një procedurë civile për konfiskimin e fitimeve dhe vendosjen e gjobave.
Ky rast po hap një debat serioz: kur informacioni shtetëror kthehet në para… loja nuk është më lojë.

