Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 51 ulëse në Kuvendin e Kosovës, pas numërimit të rreth 20 për qind të votave me postë nga diaspora, duke forcuar më tej rezultatin zgjedhor.
Sipas të dhënave të deritanishme, Vetëvendosje ka marrë mbi 69 për qind të votave vetëm nga ky kontingjent i votave me postë. Kjo i ka sjellë partisë edhe ulësen e tretë shtesë nga diaspora, pasi në rezultatin preliminar nga vendvotimet brenda Kosovës kishte siguruar 48 mandate.
Dy ulëset e para shtesë të VV-së erdhën në kurriz të Partia Demokratike e Kosovës, e cila mbetet me 23 ulëse, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që aktualisht ka 19 ulëse. Ndërkohë, ulësja e tretë është marrë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka rënë në 7 mandate, nga 8 sa kishte në projeksionet e mëhershme.
Nëse trendi aktual i votave nga diaspora vazhdon, llogaritjet matematikore tregojnë se VV-ja mund të sigurojë edhe të paktën një mandat shtesë, duke e çuar totalin potencial në 52 ulëse.
Në përqindjen e përgjithshme të votave, Vetëvendosje prin me 44.6 për qind, ndërsa PDK renditet e dyta me 20.5 për qind. LDK mban vendin e tretë me 17.26 për qind, ndërsa AAK qëndron pak nën 7 për qind.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë tërhequr rreth 85 mijë zarfe me vota nga diaspora, ndërsa deri më tani janë procesuar rreth 11 mijë vota.
Në zgjedhjet e fundit votuan rreth 725 mijë qytetarë brenda Kosovës, ndërsa mbi 100 mijë shtetas që jetojnë jashtë vendit ushtruan të drejtën e votës përmes përfaqësive diplomatike ose me postë.

