Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se ka vendosur ta propozojë Glauk Konjufca si kandidat për president të Kosova. Vendimi është bërë publik përmes një njoftimi zyrtar të subjektit politik.
Sipas këtij njoftimi, pas përpjekjeve për të arritur një marrëveshje me partitë opozitare për një kandidat konsensual, Vetëvendosje ka vendosur të dalë me kandidatin e saj për këtë post.
Partia në pushtet thekson se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, që sipas saj dhanë rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës pas luftës, institucionet kryesore – Kuvendi dhe Qeveria – u konstituuan pa vonesë, ndërsa tani procesi vijon me zgjedhjen e presidentit.
Sipas njoftimit, janë zhvilluar disa takime me subjektet më të mëdha opozitare për të gjetur një emër të përbashkët për këtë pozitë, por nga këto takime nuk është paraqitur asnjë propozim konkret dhe janë refuzuar edhe disa emra të propozuar nga Vetëvendosje.
Në këto rrethana, partia ka vendosur të propozojë për president ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin shumëvjeçar, Glauk Konjufca.
Në të njëjtën kohë, Vetëvendosje ka ftuar partitë opozitare që të propozojnë edhe ato kandidatë për president, duke theksuar se është e gatshme të ndihmojë me nënshkrime nëse u nevojiten për paraqitjen e kandidaturave.
Nga kjo parti është theksuar se zgjedhjet e reja janë të panevojshme dhe se ekziston mundësia për të arritur një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit në Kuvend.

