Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar Ditën e Presidentit me një mesazh kushtuar trashëgimisë politike të ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Përmes një reagimi publik, Osmani tha se kjo ditë nuk shërben vetëm për të kujtuar figurën e Rugovës, por edhe për të reflektuar mbi vlerat që ai la si trashëgimi politike dhe kombëtare.
Sipas saj, urtësia, durimi, demokracia, orientimi perëndimor dhe bashkimi i qytetarëve rreth këtyre parimeve vazhdojnë të mbeten themele të rëndësishme për shtetin e Kosovës.
“Më 24 maj, Ditën e Presidentit, kujtojmë jo vetëm figurën e Presidentit Rugova por edhe vlerat që ai la si trashëgimi politike dhe kombëtare”, u shpreh Osmani.
Ajo shtoi se institucionet dhe qytetarët kanë përgjegjësi që të vazhdojnë rrugën e ndërtuar mbi të njëjtin vizion, me synim një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe më të bashkuar.
Në fund të mesazhit të saj, presidentja përsëriti një nga sloganet e lidhura me filozofinë politike të Rugovës:
“Rugovizmi jeton! Rugovizmi fiton!”

