Kandidatja për presidente të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin zgjedhor, duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm për demokracinë në vend.
Pas votimit në shkollën “Shkëndija” në lagjen Hajvalia të Prishtinës, Osmani u shpreh mirënjohëse për angazhimin e qytetarëve në proceset zgjedhore dhe për rolin e tyre në forcimin e institucioneve demokratike.
“Tashmë jemi në heshtje zgjedhore, por natyrisht unë jam shumë e lumtur me mënyrën se si qytetarët e Kosovës e marrin si detyrim kombëtar mundësinë që të kontribuojnë në çdo proces zgjedhor. Kjo është shumë, shumë me rëndësi, sepse pa ta nuk ka demokraci dhe për këtë jam tepër mirënjohëse për gjithçka që bëjnë për këtë vend dhe nuk e ndalin kurrë kontributin”, deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje mbetet një nga shtyllat kryesore të funksionimit të demokracisë dhe një tregues i përgjegjësisë qytetare ndaj proceseve politike në vend.
Kosova po mban sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në qendrat e votimit në mbarë vendin.

