Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, është caktuar ushtruese e detyrës së kryetares së partisë, pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga kjo pozitë.
Çitaku është propozuar për këtë detyrë nga vetë Hamza, i cili më 21 tetor njoftoi se po largohet nga drejtimi i PDK-së.
Pas këtij zhvillimi, Çitaku ka reaguar publikisht, duke e falënderuar Hamzën për përkushtimin dhe kontributin e tij gjatë udhëheqjes së partisë.
“Sot, kur Bedri Hamza përmbylli angazhimin e tij si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, dua ta falënderoj përzemërsisht dhe publikisht për përkushtimin dhe mirëkuptimin gjatë rrugëtimit tonë të përbashkët në këtë nivel bashkëpunimi. Bedri, ka qenë kënaqësi dhe nder të punojmë bashkë. Në një periudhë intensive, me tri palë zgjedhje nacionale në mes, maturia dhe besimi yt na kanë dhënë forcë për të ecur përpara”, ka shkruar Çitaku.
Çitaku: Hamza e mori drejtimin e PDK-së për t’i shërbyer partisë dhe Kosovës
Në reagimin e saj, Çitaku ka vlerësuar se Hamza e mori përgjegjësinë e kryetarit me synimin për t’i shërbyer partisë dhe vendit, e jo për ambicie personale.
Ajo ka përmendur gjithashtu angazhimin e tij në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
“Ti e more përgjegjësinë e kryetarit i shtyrë nga nevoja për t’i shërbyer partisë dhe Kosovës, jo për ambicie personale. Në një kohë të vështirë, ky angazhim ishte edhe në shërbim të çlirimtarëve tanë në Hagë, për të cilët u angazhove me tërë qenien”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka shprehur bindjen se bashkëpunimi me Hamzën do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke theksuar se kanë ende punë për të bërë për PDK-në dhe Kosovën.
“Jam e bindur se kemi ende shumë punë të mira për të bërë së bashku për PDK-në dhe Kosovën. Faleminderit për të gjitha, Bedri!”, ka përfunduar Çitaku.

