Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur në Prishtinë për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin e kornizës ligjore për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se vendimi për ndryshimet i takon Kosovës, por se në çdo rast duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit.
“Sa i përket kornizës ligjore, i takon Kosovës të vendosë. E rëndësishme është që të garantohet pavarësia e gjyqësorit. Pra, brenda kornizës së pavarësisë së gjyqësorit, i takon Kosovës të vendosë se çfarë është e nevojshme të bëjë ose të mos bëjë. Por, ajo që ka rëndësi është ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit”, tha von der Leyen në konferencën për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.
PDK kërkon ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara
Deklarata e presidentes së Komisionit Evropian vjen pasi PDK-ja ka dorëzuar në Kuvend dhe Qeveri propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Sipas nismës së PDK-së, çështjet që nuk lidhen me akuzat për trafikim organesh do të mund të barteshin në Kosovë për shqyrtim në fazat e mëtejshme të procedurës gjyqësore, në rastet e parapara nga ndryshimet e propozuara.
Komisioni Evropian, ndërkohë, ka deklaruar se nuk komenton nisma apo plane të tilla, por ka përsëritur qëndrimin se Dhomat e Specializuara janë një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe që vepron brenda sistemit juridik të Kosovës.
Von der Leyen: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës
Në fjalën e saj në Prishtinë, von der Leyen iu referua edhe aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo tha se Kosova po kalon në një moment të rëndësishëm politik dhe se vendimi i Gjykatës Speciale ka shkaktuar emocione të fuqishme në vend.
“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Viti 1999 është skalitur në memorien tuaj kolektive, represioni i dhunshëm, kriza humanitare dhe vuajtja që e ka pësuar populli juaj. Bashkimi Evropian ka qëndruar me ju që nga ajo kohë”, tha presidentja e Komisionit Evropian.
Ajo vlerësoi gjithashtu reagimin e matur të kryeministrit Albin Kurti dhe të liderëve politikë që kanë bërë thirrje për qetësi pas aktgjykimit.
“Aktgjykimi duhet të respektohet”
Von der Leyen theksoi se mandati i Dhomave të Specializuara duhet të respektohet dhe bëri dallimin mes përgjegjësisë individuale të personave të gjykuar dhe historisë së luftës në Kosovë.
“Një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, tha ajo.
Qëndrimi i saj është në linjë me deklaratat e mëparshme të Komisionit Evropian, i cili pas aktgjykimit ka theksuar se Dhomat e Specializuara duhet të mund ta ushtrojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje dhe se personat e dënuar kanë të drejtë ankese.
Kurti: Përgjigjja për projektligjin pritet këtë javë
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria do t’i japë përgjigje nismës së PDK-së brenda kësaj jave.
Sipas tij, Ministria e Drejtësisë është ngarkuar të japë opinion ligjor, ndërsa Ministria e Financave të bëjë vlerësimin financiar të projektligjit.
Kurti ka thënë se këto janë procedura që ndiqen për nismat legjislative para se të merret një qëndrim institucional.
Në këtë fazë, çështja mbetet në procesin e shqyrtimit institucional në Kosovë, ndërsa deklarata e von der Leyen vendos në qendër kërkesën që çdo ndryshim i mundshëm i kornizës ligjore të respektojë pavarësinë e gjyqësorit.
