Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka intensifikuar aktivitetet për rritjen e sigurisë në trafik, në kuadër të zbatimit të planeve operative “Alkooli” dhe “Vera 2026”.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë dhjetë ditëve të fundit janë zhvilluar aktivitete vetëdijesuese, parandaluese dhe ndëshkuese, me synim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
Gjatë kësaj periudhe janë kryer gjithsej 1,892 teste të alkoolit, ndërsa 123 drejtues automjetesh kanë rezultuar se drejtonin mjetet nën ndikimin e alkoolit. Ndaj tyre është shqiptuar masa mbrojtëse e heqjes së patentë-shoferit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, policia ka shqiptuar 1,580 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, përfshirë tejkalime të pasigurta, tejkalim të shpejtësisë, përdorim të telefonit gjatë ngasjes, mosvendosje të helmetës mbrojtëse dhe shkelje të tjera të rregullave të komunikacionit.
Në kuadër të planit operativ “Vera 2026”, janë identifikuar edhe dy raste të posedimit të narkotikëve dhe një rast i armëmbajtjes pa leje.
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

