Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me rastin e rëndë në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku të dielën u gjetën të vdekur 27-vjeçari Adonis Demiraj dhe vajza e tij tre muajshe. Për rastin është arrestuar babai i 27-vjeçarit, 65-vjeçari Brahim Demiri, i cili dyshohet për vrasje të rëndë.
Sipas raportimit të Klan Kosovës, në vendin e ngjarjes është gjetur një litar, ndërsa burimet e televizionit kanë bërë të ditur se dy viktimat dyshohet se janë ngulfatur. Po sipas këtyre burimeve, në trupat e të arrestuarit dhe të 27-vjeçarit janë vërejtur shenja dhune.
Në raportim thuhet gjithashtu se 27-vjeçari kishte pasur më herët probleme me ligjin, përfshirë raste të dhunës në familje dhe posedimit të narkotikëve.
Rrethanat e rastit mbeten të paqarta
Ende nuk janë bërë të ditura plotësisht rrethanat në të cilat foshnja kishte përfunduar nën kujdesin e babait të saj. Sipas raportimit, nëna e vajzës dyshohet se e kishte lënë atë në spital pas lindjes.
Rrethanat e sakta të vdekjes së dy viktimave dhe përgjegjësia penale për rastin pritet të sqarohen nga hetimet e organeve kompetente.
Deri në përfundimin e hetimeve dhe konfirmimin zyrtar të rezultateve të ekzaminimeve, dyshimet e raportuara mbeten të pakonfirmuara.
