Policia e Kosoves ka njoftuar për një rast të rëndë vrasjeje që ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Mitrovicën e Jugut.
Sipas policisë, më 27 maj 2026, rreth orës 22:00, autoritetet kanë pranuar informacion se në Spitalin Rajonal të Mitrovicës ishte dërguar një person i plagosur me mjet të mprehtë.
Mjeku kujdestar ka konfirmuar se viktima, mashkull 37-vjeçar, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Policia bëri të ditur se në këtë rast është lënduar edhe një person tjetër me thikë nga i njëjti i dyshuar. Pas trajtimit mjekësor, gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet hetimore lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit për krime të rënda, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Policia ka arrestuar të dyshuarin, një mashkull 31-vjeçar, ndërsa është sekuestruar edhe thika që dyshohet të jetë përdorur në kryerjen e veprës penale.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.

