Një aksion i përbashkët i Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në Pikën e Kalimit Kufitar të Vërmicës ka rezultuar me zbulimin e një sasie prej rreth 500 gramësh kokainë dhe arrestimin e një personi të dyshuar për posedim të paautorizuar të substancave narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti që po hynte nga Shqipëria në Kosovë, zyrtarët doganorë dhe policorë kanë gjetur nën ulësen e shoferit një qese najloni të tejdukshme që përmbante substancën e dyshuar narkotike.
Gjatë kontrollit trupor të të dyshuarit, është gjetur gjithashtu një sasi e vogël marihuane, rreth 0.57 gramë.
Pas testimit fushor, Drejtoria e Hetimeve të Doganës ka konfirmuar se substanca e sekuestruar është kokainë. Automjeti më pas iu nënshtrua edhe kontrollit me skaner në bashkëpunim me autoritetet doganore të Shqipërisë, por nuk u gjetën materiale të tjera të dyshimta.
Personi i përfshirë është arrestuar në vendngjarje, ndërsa rasti është dorëzuar për procedim të mëtejshëm tek njësitë kompetente të hetimeve të Doganës dhe Policisë së Kosovës.
Në komunikatën e saj, Dogana e Kosovës theksoi se ky është një tjetër shembull i bashkëpunimit të suksesshëm ndërinstitucional në luftën kundër kontrabandës dhe trafikimit të narkotikëve, si dhe një dëshmi e angazhimit për mbrojtjen e kufijve dhe sigurinë publike.

