Gjatë konferencës së përbashkët për media me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Zelensky u pyet drejtpërdrejt për qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë. Ne e respektojmë të drejtën ndërkombëtare. Ky është qëndrimi ynë. Sa i përket asaj që thatë për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, qëndrimi mbetet i pandryshuar. Gjithmonë e kemi theksuar këtë dhe politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar”, deklaroi Zelensky, sipas raportimeve të mediave serbe.
Presidenti ukrainas e lidhi këtë qëndrim me parimin e respektimit të integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror, duke falënderuar Serbinë për qëndrimin e saj në lidhje me integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë.
“Nuk do të ndryshojmë qëndrimin tonë në çështjen e Serbisë”, shtoi Zelensky.
Pyetja për bashkëpunimin ushtarak Serbi–Ukrainë
Çështja e Kosovës nuk ishte e vetmja temë e ndjeshme gjatë konferencës në Beograd.
Gazetari i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, i pyeti dy presidentët për raportimet mbi bashkëpunimin ushtarak dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të dronëve.
Vuçiq deklaroi se gjatë takimit me Zelenskyn nuk ishte diskutuar për bashkëpunim ushtarak.
“Ne sot nuk kemi diskutuar për asnjë bashkëpunim ushtarak”, tha presidenti serb, duke shtuar se çështja se çfarë mund të ndodhë pas përfundimit të luftës është një temë tjetër.
Në të njëjtën kohë, Vuçiq njoftoi se Serbia planifikon të hapë në shtator një fabrikë për prodhimin e dronëve, në bashkëpunim me Izraelin.
Deklaratat erdhën pas raportimeve se persona të afërt me presidentin ukrainas kishin vizituar lokacione në Serbi, ku potencialisht mund të zhvillohej prodhim i përbashkët i dronëve.
Po ashtu, janë publikuar raportime se municione të prodhuara në Serbi po dërgohen në Ukrainë përmes vendeve dhe ndërmjetësve të tretë. Beogradi ka mohuar se po furnizon drejtpërdrejt Ukrainën me armë.
Zelensky nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për këto pretendime, por foli për forma të ndryshme bashkëpunimi me Serbinë që, sipas tij, kontribuojnë në qëndrueshmërinë e Ukrainës.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se gjatë takimit me Vuçiqin janë diskutuar edhe çështje që nuk janë bërë publike.
Fokus te integriteti territorial dhe rruga drejt BE-së
Takimi Zelensky–Vuçiq u zhvillua në një moment të ndjeshëm për të dyja vendet. Ukraina dhe Serbia ndajnë pozicione të ndryshme për disa çështje ndërkombëtare, ndërsa Beogradi vazhdon të mbajë lidhje të rëndësishme me Moskën.
Në konferencën për media, të dy presidentët u përqendruan te parimi i integritetit territorial të shteteve dhe te procesi i integrimit evropian.
Ndërkohë, çështja e Kosovës mbetet një nga pikat kryesore ku politika e jashtme e Ukrainës nuk ka pësuar ndryshim. Kievi vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa Serbia e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.
Vizita e Zelenskyt në Beograd dhe deklaratat e tij për Kosovën pritet të ndiqen me vëmendje në Prishtinë, veçanërisht për shkak të rëndësisë që Ukraina ka fituar në politikën evropiane të sigurisë pas pushtimit rus.
