Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar krijimin e një njësie të re ushtarake që do të ketë për detyrë kryerjen e operacioneve të thella në territorin rus, me synim dobësimin e kapaciteteve ushtarake dhe logjistike të Moskës.
Në fjalimin e tij të përnatshëm, Zelensky deklaroi se njësia e re do të ketë një “ndikim afatgjatë dhe efektivisht global ndaj Rusisë”, duke e cilësuar atë si pjesë të strategjisë së Ukrainës për të rritur presionin mbi infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike ruse.
Sipas presidentit ukrainas, sulmet me dronë ndaj objekteve të industrisë petrokimike dhe rafinerive të naftës në territorin rus kanë filluar të ndikojnë në ekonominë e Rusisë, e cila mbështetet në masë të madhe te eksportet e hidrokarbureve.
Raportet nga Rusia flasin për mungesa të karburantit në disa rajone, ndërsa në rrjetet sociale janë publikuar pamje me radhë të gjata në pikat e furnizimit dhe tensione mes qytetarëve.
Zelensky theksoi se zhvillimi i industrisë ukrainase të mbrojtjes ka bërë të mundur zgjerimin e kapaciteteve për operacione në distanca të gjata, ku dronët dhe sistemet pa pilot kanë marrë një rol kyç. Ai përmendi gjithashtu sistemin raketor ukrainas Flamingo, i cili sipas autoriteteve në Kiev ka një rreze veprimi deri në 3.000 kilometra.
Përveç njësisë së re për operacione në thellësi të territorit rus, Zelensky njoftoi edhe krijimin e Forcave të Përbashkëta të Reagimit të Shpejtë, të cilat do të bashkojnë dronët, artilerinë dhe kapacitete të tjera ushtarake për të siguruar reagim më të shpejtë në vijën e frontit.
“Duhet të ndërtojmë një forcë moderne sulmuese, të mbështetur nga teknologjia, e aftë të reagojë me shpejtësi ndaj çdo zhvillimi në fushën e betejës”, deklaroi presidenti ukrainas.
Njoftimi vjen në një kohë kur lufta mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdon të intensifikohet, ndërsa të dyja palët po investojnë gjithnjë e më shumë në teknologji ushtarake dhe sisteme të avancuara pa pilot.

