Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje e ka respektuar plotësisht Kushtetutën gjatë procesit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Në një reagim publik, Zulfaj ka renditur katër veprime që, sipas tij, dëshmojnë se partia në pushtet ka ndjekur procedurat kushtetuese.
Sipas tij, Vetëvendosje fillimisht ka propozuar dy kandidatë për postin e presidentit, në mënyrë që të ketë garë.
“Vendosëm dy kandidatë që të ketë garë. PDK dhe LDK së bashku kanë 37 deputetë, por nuk sollën asnjë kandidat”, ka shkruar ai.
Zulfaj ka theksuar gjithashtu se seanca është thirrur brenda afatit kushtetues për të nisur procedurën e zgjedhjes së presidentit.
Ai shtoi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet kushtetuese deri në momentin e konstatimit të prezencës së deputetëve në sallë.
“Seanca u ndërpre për mungesë të deputetëve dhe për ta vazhduar kur ata të kthehen në sallë, siç e kanë obligim dhe detyrim kushtetues”, tha Zulfaj.
Këshilltari i kryeministrit akuzoi opozitën për bojkotim të procesit, duke thënë se një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe vitin e kaluar gjatë zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
“Vitin e kaluar na humbën kohë duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit; tash duan të na humbin kohë sërish duke bojkotuar zgjedhjen e presidentit”, deklaroi ai.
Në fund, Zulfaj theksoi se procesi duhet të përfundojë me zgjedhjen e presidentit.
“Por presidenti duhet të zgjidhet”, përfundoi ai.

