Kreu i operacioneve humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, vizitoi sot qytetin e Gazës, duke vënë në dukje se organizatat ndërkombëtare përballen me një detyrë të jashtëzakonshme për të rikthyer shërbimet bazë dhe për të siguruar ushqim për civilët në enklavën palestineze të rrënuar nga lufta.
Fletcher është zyrtari i parë i nivelit të lartë nga Kombet e Bashkuara që hyn në Rripin e Gazës pas armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit më 10 tetor. Ai mbërriti në qytet me një autokolonë të bardhë të OKB-së dhe vizitoi lagjen Sheik Raduan, ku inspektoi një impiant të përpunimit të ujërave të zeza.
“Isha këtu para 7 ose 8 muajsh. Shumica e ndërtesave ishin ende në këmbë. Është tronditëse të shohësh që një pjesë e madhe e qytetit është kthyer në një peizazh shkretëtire,” tha Fletcher.
Shumica e Gazës u shkatërrua nga ofensiva ushtarake izraelite, e cila erdhi si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Ushtria izraelite vazhdon të kontrollojë kufijtë e enklavës, duke kufizuar hyrjen e ndihmave humanitare.
Armëpushimi, i bazuar në një plan të propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, parashikon lehtësimin e hyrjes së ndihmave jetike për popullsinë civile.
“Kemi përpara një plan masiv 60-ditor për të rritur furnizimin me ushqime, për të shpërndarë një milion vakte në ditë, për të nisur rindërtimin e sektorit shëndetësor, për të ngritur tenda për dimër dhe për të rikthyer qindra mijëra fëmijë në shkollë,” deklaroi Fletcher.
Zyrtari i OKB-së theksoi se Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) po përballet me një sfidë të jashtëzakonshme për të mbështetur civilët në një nga zonat më të goditura nga konflikti në botë.