Sipas burimeve të Qendra.info, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kanë zhvilluar sot një takim politik me peshë, ku tema kryesore ka qenë mundësia e krijimit të një liste të përbashkët opozitare për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Burimet bëjnë të ditur se bisedimet mes dy liderëve janë përqendruar në opsionin e një koalicioni të gjerë opozitar, që do të përfshinte jo vetëm LDK-në dhe Nismën.
Këto zhvillime vijnë në një moment kyç, pasi të dielën pritet prova e parë e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, sipas burimeve politike, gjasa që LVV të arrijë të formojë kabinetin është e vogël, dhe vetë subjekti i Albin Kurtit po konsideron seriozisht mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Në këtë sfond politik të tensionuar, opozita duket se po lëviz me shpejtësi për të konsoliduar pozicionet e saj, me qëllim që të jetë e përgatitur për çdo skenar pas së dielës — ditës që mund të përcaktojë nëse vendi do të ketë qeveri të re apo do të shkojë drejt kutive të votimit.

