Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka propozuar zgjatje buxhetore për të shmangur një krizë të mundshme pagash për punëtorët e sektorit publik, pas mungesës së gatishmërisë politike për procedimin e projektbuxhetit për vitin 2026. Në një deklaratë për media pas takimit me liderët e partive parlamentare, Osmani tha se kërkesa për zgjatje buxhetore është e bazuar në Kushtetutë dhe ka për qëllim të sigurojë vazhdimësinë e pagesave dhe mirëqenien e qytetarëve deri më 31 mars 2026.
Ajo theksoi se në takimin me krerët e partive politike nuk ka pasur unanimitet as për çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë së re, e as për buxhetin e vitit të ardhshëm, ndërsa disa liderë kanë pranuar se nuk janë në gjendje të krijojnë shumicën e nevojshme parlamentare. “Kërkova një rrugë me dakordim të partive për procedim të buxhetit dhe Planit të Rritjes. Nuk kishte gatishmëri nga një numër i madh për procedim të buxhetit, por unë propozova që të shqyrtojmë mundësinë kushtetuese të zgjatjes buxhetore, që të paktën deri më 31 mars 2026 qytetarët të mos përballen me situatë ku nuk kanë paga e mirëqenie”, tha Osmani, duke shtuar se është e gatshme ta marrë vetë përsipër këtë nismë ligjore në Kuvend, nëse partitë nuk bien dakord.
Sipas saj, neni 79 i Kushtetutës i jep të drejtë Presidentes të iniciojë ligje në raste të tilla, duke përfshirë edhe zgjatjet buxhetore apo Planin e Rritjes. “Nëse partitë nuk arrijnë të dakordohen që këto nisma të procedohen nga Qeveria, atëherë si Presidente do ta marr unë këtë detyrim dhe do t’i dërgoj në Kuvend. Kjo është një e drejtë kushtetuese dhe një domosdoshmëri për stabilitetin financiar të vendit”, shtoi ajo.
Osmani bëri të ditur se, përkundër përpjekjeve, partitë nuk kanë arritur marrëveshje për mandatar të ri dhe se disa kanë kërkuar kohë shtesë për konsultime të brendshme. Ajo përsëriti se detyrë e saj është të bëjë çmos për të evituar zgjedhjet e reja dhe se të gjitha mundësitë duhet të shfrytëzohen për ta parandaluar këtë skenar. Presidentja tha gjithashtu se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar një takim tjetër para përfundimit të afatit kushtetues dhjetëditor për t’u konsultuar rreth mandatimit të mundshëm.
Megjithatë, Osmani paralajmëroi se vendi mund të përballet me dy palë zgjedhje brenda pak muajsh, nëse situata aktuale nuk zgjidhet. “Nëse mbahen zgjedhjet në dhjetor, do të duhen muaj që të formohen institucionet, dhe në rast të dështimit për zgjedhjen e presidentit për mungesë kuorumi, vendi do të shkojë menjëherë në zgjedhje të reja. Një situatë e tillë do të ishte e rëndë, jo vetëm për KQZ-në, por edhe për qytetarët që për periudhë të gjatë do të mbeteshin pa institucione funksionale,” paralajmëroi ajo.
Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia që presidenti i ardhshëm të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Sipas Osmanit, shumë prej liderëve kanë shprehur gatishmëri për ta shqyrtuar këtë ide. “Nuk ka asnjë kuptim funksional që për shkak të dështimit në zgjedhjen e presidentit të shkohet në zgjedhje për parlamentin dhe qeverinë. Pashë një vullnet të madh që të shqyrtohet mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët,” tha ajo.
Presidentja gjithashtu kujtoi se, sipas aktgjykimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, Albin Kurti nuk mund të mandatohet për herë të dytë si kandidat për kryeministër. “Vetë termi ‘mandatar tjetër’ nënkupton se kërkohet person tjetër. A më duket e drejtë? Aspak. Por ky është realiteti juridik që duhet ta respektojmë,” theksoi Osmani.
Në fund, ajo përsëriti se prioriteti i saj mbetet stabiliteti institucional dhe shmangia e një krize buxhetore që mund të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. “Bashkë me kohën kemi humbur edhe shumë mundësi për vendin tonë, por unë do të bëj çdo përpjekje që qytetarët të mos jenë ata që e paguajnë çmimin e krizës politike,” përfundoi Presidentja Osmani.

