Pas aksionit të zhvilluar të shtunën në fshatin Jabllanicë e Vogël në Pejë, autoritetet pritet që sot të bëjnë asgjësimin e bimëve narkotike të sekuestruara gjatë operacionit.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ndërsa detaje shtesë ka dhënë edhe prokurorja e rastit, Sahide Gashi.
Sipas saj, operacioni është realizuar pas pranimit të informatave nga terreni, të cilat janë verifikuar përmes burimeve të besueshme, si dhe pas sigurimit të urdhrit nga gjykata kompetente.
Gjatë aksionit, në lokacionin e identifikuar është zbuluar një laborator për kultivimin e bimëve narkotike, ku ato ndodheshin në proces të zhvillimit. Po ashtu, janë gjetur pajisje të avancuara që shërbenin për krijimin e kushteve optimale për kultivim.
Burimet bëjnë të ditur se në kuadër të këtij operacioni është arrestuar një person, ndërsa janë sekuestruar rreth 70 bimë narkotike, pajisje të sofistikuara për kultivim, si dhe një armë automatike e llojit “Skorpion”.
Autoritetet kanë theksuar se hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

