Një lajm surprizë po qarkullon në Spanjë: José Mourinho mund të rikthehet te Real Madrid.
Sipas raportimeve të “Record”, trajneri portugez është në radar të presidentit Florentino Pérez si një nga alternativat kryesore për stolin madrilen.
Pas një sezoni zhgënjyes dhe dy vite radhazi pa trofe, drejtuesit e klubit po kërkojnë një emër të fortë që rikthen autoritetin dhe mentalitetin fitues në “Santiago Bernabéu”. Projekti me Álvaro Arbeloa nuk ka dhënë rezultatet e pritura, duke shtyrë klubin drejt një ndryshimi të madh.
Mourinho, që ka drejtuar Realin në 178 ndeshje gjatë periudhës 2010–2013, mbetet një figurë e respektuar për mënyrën si ndërtoi një skuadër konkurruese dhe riktheu rivalitetin me Barcelonën.
Edhe pse largimi i tij u shoqërua me tensione, ideja e rikthimit nuk duket më e pamundur. Aktualisht ai drejton Benfica, por emri i tij vazhdon të peshojë rëndë në tregun e trajnerëve.
Në listën e kandidatëve për stolin e Realit përmenden edhe emra si Jürgen Klopp dhe Massimiliano Allegri, por rikthimi i Mourinhos do të ishte pa dyshim goditja më e madhe mediatike.
Në Madrid po mendojnë seriozisht: kur gjërat nuk shkojnë, kthehu te ai që di si fitohet.

