Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se java e ardhshme do të jetë vendimtare për zgjidhjen e çështjes së presidentit të vendit.
Ajo theksoi se pret që gjatë ditëve në vijim të nisin takimet ndërmjet partive politike, me synimin për të arritur një marrëveshje të përbashkët. Sipas saj, procesi mund të përmbyllet shpejt nëse ekziston vullnet politik.
Haxhiu u bëri thirrje subjekteve politike që t’i përgjigjen pozitivisht ftesave të kryeministrit Albin Kurti për dialog dhe koordinim rreth kësaj çështjeje.
“Nuk ka mbetur shumë kohë, por nëse ka vullnet, mund të përfundojë brenda pak orësh. Uroj që java para nesh të shfrytëzohet për takime dhe të përmbyllet me konsensus për presidentin”, deklaroi ajo.
Njëkohësisht, Haxhiu theksoi rëndësinë e shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke nënvizuar se qytetarët nuk e dëshirojnë një skenar të tillë.
“Duhet të kemi parasysh interesin qytetar. Qytetarët kanë votuar në dhjetor dhe nuk duan zgjedhje në këtë moment. Askush nuk duhet të veprojë në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje”, u shpreh ajo.

