Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse Teherani nuk pranon marrëveshjen e propozuar nga Uashingtoni.
Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump reagoi pas zhvillimeve të fundit në Ngushtica e Hormuzit, duke akuzuar Iranin për shkelje të armëpushimit dhe duke theksuar se SHBA-ja nuk do të tregojë më “mirësjellje”.
Ai deklaroi se nëse nuk arrihet marrëveshje, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin sulme ndaj infrastrukturës kritike iraniane, përfshirë centralet energjetike dhe urat.
“Ne po ofrojmë një marrëveshje shumë të drejtë dhe të arsyeshme. Nëse nuk pranohet, do të shkatërrojmë çdo central energjie dhe çdo urë në Iran. Mjaft më me mirësjellje!”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan shtoi se përfaqësuesit e tij do të udhëtojnë drejt Pakistanit për negociata të mëtejshme, duke lënë të kuptohet se një marrëveshje mund të jetë afër, por paralajmëroi se në të kundërtën do të ndërmerren masa të forta.
Sipas tij, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit dëmton më shumë Iranin sesa SHBA-në, duke pretenduar humbje të mëdha ekonomike për Teheranin nga ndërprerja e trafikut detar.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon, ku situata mbetet e paqëndrueshme dhe rreziku i përshkallëzimit ushtarak vazhdon të jetë i pranishëm.

