Një shtetas shqiptar është arrestuar nga autoritetet në Itali, pasi u kap duke transportuar një sasi të madhe kokaine të fshehur në automjetin e tij.
Gjatë operacionit policor, janë sekuestruar rreth 45 kilogramë lëndë narkotike, me një vlerë që në tregun e zi arrin mbi 2 milionë euro.
Sipas mediave italiane, droga ishte e ndarë në rreth 40 pako, secila me peshë rreth 1 kilogram. Kontrolli i mëtejshëm në banesën e të arrestuarit dhe në një automjet tjetër në pronësi të tij çoi në zbulimin e një kilogrami shtesë kokainë dhe rreth 10 mijë euro para të gatshme.
Operacioni u zhvillua në autostradën A1, në segmentin mes qyteteve Lodi dhe Piacenza, më 10 prill, ndërsa rasti u bë publik vetëm më 30 prill.
Autoritetet bëjnë të ditur se ky është sekuestrimi i dytë i madh i kokainës në këtë zonë brenda pak javësh, duke theksuar intensifikimin e kontrolleve ndaj trafikut të drogës në rrugët kryesore të vendit.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa pritet të zbardhen edhe lidhjet e mundshme të të arrestuarit me rrjete të tjera kriminale.

