Zgjedhjet për kreun e Partia Demokratike pritet të zhvillohen pa garë reale, pasi Sali Berisha do të jetë kandidati i vetëm në votimin e 23 majit.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale ka vendosur të skualifikojë kandidaturat e paraqitura, duke lënë jashtë garës mjeken Mereme Sela dhe Vladimir Mulajn, me arsyetimin se nuk plotësojnë kriteret përkatëse, përfshirë mungesën e profilit politik dhe përvojës në drejtimin e strukturave të partisë.
Ndërkohë, dokumentet e dorëzuara nga Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu nuk janë marrë fare në shqyrtim, me arsyetimin e “vetëpërjashtimit” dhe mosplotësimit të kushteve formale për kandidim.
Pas këtij vendimi, procesi zgjedhor në PD pritet të marrë formën e një referendumi për konfirmimin e Berishës në krye të partisë.
Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike ka nisur punën për ndryshime në statut. Grupi i punës ka miratuar kalendarin, duke lënë afat deri më 14 maj për propozime, ndërsa drafti pritet të dorëzohet në kryesi deri më 25 maj dhe të miratohet përfundimisht në Kuvendin e 30 majit.
Ndërkohë, Salianji ka reaguar ashpër pas përjashtimit, duke akuzuar Berishën për mungesë gare dhe duke deklaruar se “ka humbur kështjellën e fundit, burrërinë”.
Zhvillimet e fundit tregojnë për tensione të brendshme në PD dhe një proces zgjedhor që po kritikohet për mungesë pluralizmi.

