Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka lëshuar kritika të forta ndaj Bashkimit Evropian, duke deklaruar se BE-ja ka më shumë nevojë për Turqinë sesa Turqia për BE-në, dhe se kjo varësi pritet të rritet në të ardhmen.
Duke folur pas një mbledhjeje të qeverisë, Erdoğan e cilësoi qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Ankarasë si “strategji dritëshkurtër”, duke theksuar se roli i Turqisë në arkitekturën evropiane dhe ndërkombëtare është shumë më i madh sesa vlerësohet aktualisht nga Brukseli.
Ai nënvizoi se Turqia ka një prani të rëndësishme në shumë mekanizma dhe institucione evropiane, ndërsa i bëri thirrje BE-së që të njohë dhe vlerësojë kontributin e saj, sidomos në kontekstin e krizave aktuale, përfshirë zhvillimet në Lindjen e Mesme.
“Një Evropë pa pjesëmarrjen e plotë të Turqisë nuk mund të jetë një faktor global”, u shpreh Erdoğan, duke paralajmëruar se margjinalizimi i Ankarasë do të dobësonte ndikimin ndërkombëtar të BE-së.
Në fund, presidenti turk theksoi se vendi i tij mbetet “më i forti dhe më i qëndrueshmi në rajon”, duke e pozicionuar Turqinë si një aktor kyç në zhvillimet gjeopolitike aktuale.

