Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka akuzuar Rusinë se nuk po respekton armëpushimin e shpallur për datat 8 dhe 9 maj, duke theksuar se sulmet e vazhdueshme gjatë natës tregojnë mungesën e vullnetit të Moskës për paqe.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Zelensky deklaroi se Rusia nuk ka bërë “as edhe një përpjekje simbolike” për të ndalur ofensivën ushtarake, pavarësisht njoftimit për armëpushim me rastin e Ditës së Fitores në Rusi.
“Siç kemi bërë gjatë 24 orëve të fundit, edhe sot Ukraina do të përgjigjet me të njëjtën monedhë”, deklaroi presidenti ukrainas.
Sipas tij, Ukraina do të vazhdojë të mbrojë qytetarët dhe pozicionet e saj ushtarake përgjatë vijës së frontit, ndërsa i bëri thirrje Moskës që t’i japë fund luftës.
“Rusia duhet ta ndalë luftën dhe të gjithë do ta kuptojnë këtë kur të nisin hapat e parë drejt paqes”, u shpreh Zelensky.
Presidenti ukrainas bëri të ditur se deri në orën 07:00 të mëngjesit ishin regjistruar mbi 140 sulme ndaj pozicioneve ukrainase, ndërsa gjatë natës forcat ruse kishin ndërmarrë 10 ofensiva, shumica e tyre në sektorin e Slovyanskut.
Deklaratat e Zelenskyt vijnë pasi presidenti rus Vladimir Putin shpalli një armëpushim dyditor për 8 dhe 9 maj, në kuadër të festimeve të Ditës së Fitores, por autoritetet ukrainase kanë deklaruar se bombardimet dhe sulmet ruse kanë vazhduar edhe pas hyrjes në fuqi të tij.

