Në mesnatë ka përfunduar zyrtarisht afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, si dhe për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga KQZ, deri mbrëmë në ora 21:30 janë regjistruar 22 parti politike që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje, tetë parti kanë deklaruar mospjesëmarrjen, ndërsa janë zyrtarizuar edhe dy koalicione parazgjedhore të përbëra nga pesë parti politike.
Në listën e partive që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë edhe subjektet më të mëdha politike në vend, si Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, krahas partive të komuniteteve dhe subjekteve të tjera politike.
Ndërkohë, tetë parti politike kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit. Mes tyre janë Aleanca Kosova e Re, Partia e Drejtësisë dhe Balli Kombëtar i Kosovës.
Sa i përket koalicioneve, KQZ ka pranuar regjistrimin e koalicionit “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, si dhe koalicionin “Ashkalitë e Bashkuar”, ku bëjnë pjesë Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim.
Vëmendje ka tërhequr fakti se deri në orët e fundit para skadimit të afatit nuk ishte konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrja e Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhje.
KQZ ka sqaruar se procesi i deklarimit të pjesëmarrjes dhe regjistrimit të koalicioneve është i ndarë nga procesi i certifikimit të subjekteve të reja politike dhe dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë.
Afati për certifikimin e subjekteve të reja politike, përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, do të zgjasë deri më 10 maj, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë do të përfundojë më 12 maj 2026.

