Shtetet e Bashkuara dhe Kina duket se po afrojnë qëndrimet lidhur me krizën në Ngushticën e Hormuzit, duke kundërshtuar çdo përpjekje për vendosjen e tarifave apo taksave mbi kalimin e anijeve në këtë korridor strategjik ndërkombëtar.
Sipas një deklarate të Departamentit Amerikan të Shtetit, zyrtarë të lartë nga Uashingtoni dhe Pekini janë pajtuar se asnjë shtet apo organizatë nuk mund të vendosë tarifa tranziti në ujërat ndërkombëtare.
“Asnjë vend apo organizatë nuk mund të lejohet të vendosë tarifa tranziti në korridoret ndërkombëtare detare, siç është Ngushtica e Hormuzit”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
Kjo çështje ishte diskutuar gjatë një telefonate të zhvilluar në muajin prill mes Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi.
Zhvillimi vjen në prag të një takimi të nivelit të lartë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij kinez Xi Jinping, ku kriza me Iranin dhe siguria e lundrimit në Lindjen e Mesme pritet të jenë temat kryesore.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga arteriet më të rëndësishme energjetike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës dhe gazit.
Rritja e tensioneve me Iranin ka shtuar shqetësimet për sigurinë e këtij korridori, ndërsa çdo kufizim i lëvizjes apo vendosje tarifash mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

