Interi është shpallur fitues i Kupës së Italisë, pasi mposhti Lazion me rezultat të pastër 2-0 në finalen e zhvilluar në stadiumin “Olimpico”, duke kompletuar kështu dopietën historike në futbollin italian.
Zikaltrit ngritën trofeun e 10-të të Kupës së Italisë, duke fituar edhe të drejtën për të vendosur “yllin e argjendtë”, ndërsa kjo është hera e parë që Interi fiton njëkohësisht Serie A dhe Kupën që nga sezoni legjendar 2009/10.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Kristian Kivu vazhdoi dominimin ndaj Lazios, pasi vetëm katër ditë më parë kishte triumfuar 3-0 ndaj së njëjtës skuadër, duke hyrë në finale me moral të lartë.
Interi kaloi në epërsi në minutën e 14-të, kur mbrojtësi i Lazios, Adam Marusiç, devijoi topin në portën e tij pas një harkimi nga këndi, duke i dhuruar avantazhin zikaltërve.
Goli i sigurisë erdhi në minutën e 35-të, kur Denzel Dumfries depërtoi nga krahu i djathtë dhe shërbeu për Lautaro Martinez, i cili nuk fali para portës për rezultatin 2-0.
Në pjesën e dytë, Lazio tentoi të rikthehej në lojë, por portieri i Interit, Martinez, bëri disa ndërhyrje vendimtare, përfshirë një pritje spektakolare ndaj Dia-s në minutën e 75-të.
Finalja u mbyll me tension në minutat e fundit, ku pati përplasje mes lojtarëve të të dy skuadrave, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Për Interin, dy ndeshjet e mbetura të sezonit tashmë do të jenë festë, ndërsa për Lazion kjo humbje nënkupton fundin e shpresave për një vend në garat evropiane sezonin e ardhshëm.

