Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë sot një vizitë pune në Tallinn të Estonisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën Lennart Meri 2026, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për politikën e jashtme, sigurinë dhe zhvillimet gjeopolitike globale.
Konferenca e këtij viti mbahet nën moton “Fati i favorizon të guximshmit”, ndërsa Rama do të jetë pjesë e panelit hapës me temën “Një Urë mbi Ujëra të Trazuara: Kapitulli i Ardhshëm i Bashkëpunimit Transatlantik”.
Në këtë panel, kryeministri shqiptar do të diskutojë përkrah liderëve dhe zyrtarëve të lartë euroatlantikë mbi të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike, forcimin e rolit të Evropës brenda NATO-s, sfidat globale të sigurisë dhe pozicionin e Ukrainës në arkitekturën e re të sigurisë evropiane.
Gjatë qëndrimit në Estoni, Rama do të zhvillojë një takim bilateral me homologun estonez, kryeministrin Kristen Michal, në Shtëpinë Stenbock, ku pritet të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi në fusha strategjike.
Në agjendë është paraparë edhe një takim me presidentin e Estonisë, Alar Karis.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës do t’i kushtohet sigurisë kibernetike, ku delegacioni shqiptar do të vizitojë Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s, një nga institucionet kyçe të Aleancës në këtë fushë.
Po ashtu, Rama do të vizitojë Memorialin e Viktimave të Komunizmit në Maarjamäe, si dhe e-Estonia Briefing Centre, qendra e njohur ndërkombëtarisht për inovacionin teknologjik dhe qeverisjen digjitale.
Vizita do të përmbyllet me një intervistë për gazetën estoneze Postimees, ku Rama pritet të flasë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

