Tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë dërguar sinjal të qartë se opsioni ushtarak ndaj Iranit mbetet mbi tavolinë nëse përpjekjet diplomatike dështojnë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Uashingtoni është “gati për veprim”, duke theksuar se administrata amerikane po ndjek nga afër zhvillimet e negociatave me Teheranin.
“Nuk duam të ndjekim atë rrugë, por presidenti është i gatshëm dhe i aftë ta bëjë këtë nëse do të jetë e nevojshme”, deklaroi Hegseth, duke lënë të kuptohet se SHBA po ruan presion maksimal ndaj Iranit.
Konflikti në rajon tashmë ka hyrë në muajin e dytë, ndërsa bisedimet diplomatike vazhdojnë të mbeten në ngërç, pa ndonjë sinjal konkret për marrëveshje.
Në të njëjtën kohë, raportet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu raportohen si të tensionuara. Mediat amerikane flasin për një bisedë të gjatë dhe dramatike mes dy liderëve, megjithëse Trump u përpoq ta minimizonte situatën me deklaratën: “Netanyahu do të bëjë atë që dua unë.”
Sipas raportimeve, ndërmjetës ndërkombëtarë po punojnë për një dokument paraprak apo “letër synimesh”, që synon ndaljen e konfliktit dhe hapjen e rrugës drejt një marrëveshjeje politike.
Megjithatë, me deklaratat e fundit nga Pentagoni, mesazhi duket i qartë: diplomacia ka ende një shans, por durimi amerikan nuk është i pafund.

